E shtunë, 18 Prill, 2026

Energjia më e shtrenjtë, çmimet më larta- bizneset paralajmërojnë humbje vendesh pune

Ndaj

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë pas rritjes së çmimit të energjisë dhe daljes në treg të hapur të bizneseve të mëdha, po vërehet edhe ngritja e çmimit të produkteve në treg, shkruan Kujdestari.info.

“Paralajmërimet tona për rritje të çmimeve të produkteve shkaku i rritjes së çmimit të energjisë për 16.1%, po ashtu edhe liberalizmit të tregut të energjisë, tashmë po vërtetohen edhe nga institucionet përgjegjëse. Sipas të dhënave të fundit të prezantuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, çmimet e prodhimit pësuan ngritje për 4,1% ndërmjet TM2 2025 (prill, maj, qershor)”, thuhet në reagimin e DhTIK-së.

Sipas ASK-së, ngritjet më të mëdha sipas degëve të veprimtarive ekonomike vërehen te: energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar (16,7%); shtypja dhe riprodhimi i mediave të incizuara (9,3%); prodhimi i veshjeve (6,7%); prodhimi i mjeteve motorike (të transportit), rimorkiove dhe gjysmë-rimorkiove (4,2%); prodhimi i produkteve të fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve (2,5%); prodhimi tjetër p.k.t. (1,9%); prodhimi i letrës dhe produkteve prej letrës (1,6%); prodhimi i drurit dhe i produkteve të drurit dhe të tapës, përveç mobilieve: prodhimi i artikujve nga kashta dhe materialeve të gërshetuara – thurëse (1,4%); përpunimi i produkteve ushqimore (0,8%); nxjerrja e xehes së metalit (0,3%); prodhimi i pajisjeve elektrike (0,3%); prodhimi i tekstilit (0,2%); prodhimi i produkteve të gomës dhe të plastikës (0,1%).

Sipas Dhomës së Tregtisë, një rritje të tillë të çmimeve e kishin paralajmëruar, sepse ngritja e çmimit të energjisë do të ketë pasoja zinxhirore.

“DhTIK kishte paralajmëruar se një rritje e tillë e menjëhershme e çmimit të energjisë, e kombinuar me procesin e liberalizimit të tregut, i cili u përcoll me shumë shkelje, do të reflektonte në rritje zinxhirore të kostove të prodhimit dhe, si pasojë, të çmimeve të produkteve për qytetarët”.

“Këto rritje e bëjnë edhe më të vështirë konkurrueshmërinë e bizneseve vendore dhe rrezikojnë kapacitetin e tyre për të ruajtur vendet e punës. Prandaj, DhTIK kërkon nga institucionet përgjegjëse që të rishqyrtojnë politikat aktuale të çmimeve të energjisë dhe të marrin masa të menjëhershme për të mbrojtur bizneset dhe konsumatorët nga pasojat e rënda ekonomike”, thuhet në reagimin e DhTIK-së.

Lexo më shumë

Të tjera