Nga 2 euro, çmimi i para disa muajve i kompletit prej 30 kokrra vezësh, me ngritjen e fundit të çmimit në muajin gusht, në shitoret e prodhuesit dhe tregtarit të produkteve të shpezëve, ndër më të njohurit në Kosovë, ka arritur në 4,2 euro. Ndërsa në disa markete dhe supermarkete të kryeqytetit, çmimi i vezëve këto ditë ka shkuar madje në 4,6 euro për 30 copë vezë.
Sado që ende nuk kanë kaluar ditët e verës, çmimi i vezëve në Kosovë, praktikisht, ka “shkuar në qiell”. Që nga fillimi i muajit korrik, çmimi vezëve, produktit ndër më të konsumuarit nga popullsia shumicë e varfër e Kosovës është ngritur suksesivisht disa herë, dhe secilën herë nga 30 deri në 50 centë për kompletin prej 30 kokrra vezësh. Vetëm gjatë korrikut të 2025-tës, çmimi i tyre është ngritur 2-3 herë.
Në këtë mënyrë, nga 2 euro, çmimi i para disa muajve i kompletit prej 30 kokrra vezësh, me ngritjen e fundit në muajin gusht, në shitoret e prodhuesit dhe tregtarit të produkteve të shpezëve, ndër më të njohurit në Kosovë, ka arritur në 4,2 euro. Ndërsa në disa markete dhe supermarkete të kryeqytetit, çmimi i vezëve këto ditë ka shkuar madje në 4,6 euro për 30 copë vezë. Që do të thotë, çmimi i vezëve që në korrik është ngritur qind për qind, ndërsa tani në shtator përtej dyfishit të çmimit të para dy muajsh.
Çmimi i tanishëm i vezëve në Kosovë (4.2 deri në 4,6 euro kompleti 30 copë vezë), përafërsisht ka arritur çmimet super të larta të shënuara në dhjetor 2022 dhe në janar të 2023-tës, kur 30 copë vezë nëpër markete të Prishtinës, dhe të qendrave të tjera komunale kushtonte 4 euro e 29 centë deri në 4,5 euro, që njëherësh ishte çmimi më i lartë për vite të tëra i arritur për këtë produkt.
Rritja ekstreme e çmimit të vezëve, pak a shumë ngjashëm me dhjetorin e 2022-tës dhe janarin e 2023-tës, kur ishte shënuar rekord i çmimeve të ngritura të këtij produkti, del të jetë fare i pakuptueshëm dhe i palogjikshëm për njohësit e ecurive të çmimeve të produkteve të shpezëve. Sipas tyre, dihet se në Kosovë tashmë ka kapacitete prodhuese (ferma) të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e Kosovës me vezë. Në secilën qendër komunale tashmë janë ngritur nga disa ‘pulari’, produktet e të cilave, sidomos vezët, janë plasuar nëpër tregjet e Kosovës (tregjet e gjelbra, në markete, e supermarkete) dhe kanë plotësuar mjaftueshëm nevojat e konsumatorëve të vendit.
Në anën tjetër, konsumatorët shumicë, kosovarët e shtresave më të varfëra, gjatë disa muajve të vitit, sidomos që nga marsi deri në korrik, i kanë vlerësuar si të arsyeshme dhe të pranueshme çmimet e vezëve. Tani ‘kërcimi’ i çmimit përtej dyfishit është i befasishëm për ta, por edhe i diskutueshëm. Ndërsa, vrojtuesit e ecurive të çmimeve e kundërtshtojnë këtë ngritje çmimi, duke e vlerësuar si të pabazë dhe jashtë logjikës ekonomike.
B.N., një njohës i mirë i tregut në Kosovës, dyshon se mos prodhuesit tanë po eksportojnë vezët dhe në këtë mënyrë po varfërohet oferta për këtë produkt dhe po krijohen kondita artificiale për të ngritur çmimin. Ai thotë se ngritja e çmimit të energjisë elektrike për mbi 16 për qind dhe e çmimeve të ushqimeve të pulave, ishte një motiv për ngritje të arsyeshme të çmimit të vezëve, por, në asnjë mënyrë, çmimi i ngritur i rrymës nuk do të duhej të ndikonte në dyfishimin e çmimit të vezëve. /Buletini Ekonomik/