Banka Qendrore e Kosovës ka lansuar Platformën për krahasimin e produkteve dhe shërbimeve financiare, e cila synon të rrisë transparencën në tregun financiar, të fuqizojë konsumatorin dhe të ofrojë qasje të barabartë në informata të sakta dhe të përditësuara për qytetarët.
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, tha se kjo platformë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt avancimit të sektorit financiar në vend.
“Platforma përfaqëson një hap konkret drejt rritjes së transparencës në tregun financiar, fuqizimin e konsumatorit dhe ofrimin për qasje të barabartë në informata të sakta dhe të përditësuara. E zhvilluar nga BQK, platforma është e lehtë për t’u përdorur duke ofruar të dhëna të standardizuara, të sakta dhe të përditësuara me normat e interesit, tarifat, komisionet dhe kushtet e produkteve më të përdorura nga qytetarët. Avancimi i kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse të sektorit financiar të harmonizuar me standardet dhe praktikat më të mira të BE-së, sfidat me të cilat ata janë përballur gjatë zbatimit të tyre kanë shërbyer si pikë referimi për ndërtimin e një platforme si dhe një zgjidhje të përshtatur për nivelin e zbatimit të sektorit financiar të Kosovës për institucionet financiare të mbikëqyrura dhe rregulluara nga BQK”, tha ai.
Duke folur për përmbajtjen e saj, guvernatori Ismaili theksoi se platforma tashmë përmban të dhëna për 50 institucione financiare në Kosovë.
“Aktualisht platforma përmban të dhëna për 50 institucione financiare, përfshirë bankat, institucionet mikrofinanciare, institucionet jo bankare dhe kompanitë e sigurimeve. Në të janë të pasqyruara 17 kategori të produkteve të ndara në 60 nënprodukte dhe në 203 ndarje të detajuara që përbëjnë së bashku rreth 10 mijë informacione për krahasim në vendimmarrje që siguron lidhje direkte me çmimoret e secilit institucion financiar”, tha ai.