Banka Qendrore e Kosovës ka publikuar statistikat e bankave komerciale për muajin korrik 2025, ku tregohet një panoramë e qartë se asetet e bankave vazhdojnë të rriten, kreditë po shtrenjtohen, ndërsa qytetarët mbeten burimi kryesor i përfitimeve të sistemit bankar, shkruan Kujdestari.info.
Sipas raportit, asetet e bankave komerciale në fund të korrikut arritën në 8.85 miliardë euro, një rritje prej 1.85% krahasuar me muajin paraprak. Kreditë bruto u rritën në 6.41 miliardë euro, ndërsa vetëm gjatë muajit korrik u dhanë kredi të reja në vlerën 213.93 milionë euro.
Megjithatë, qytetarët po paguajnë më shtrenjtë huatë e tyre. Norma mesatare e interesit në kredi u rrit nga 6.29% në qershor në 6.38% në korrik, një rritje që në dukje duket e vogël, por në praktikë përkthehet në pagesa më të larta mujore për mijëra familje dhe biznese.
Në anën tjetër, depozitat e qytetarëve arritën në 7.07 miliardë euro, prej të cilave mbi 66% mbahen nga ekonomitë familjare. Rritja e normës së interesit në depozita, nga 2.74% në qershor në 3.37% në korrik – duket se ka qenë një përpjekje për të balancuar përfitimet e qytetarëve, megjithatë margjina e fitimit të bankave (diferenca mes interesit në kredi dhe depozita) mbetet e konsiderueshme 3.01%.
Në përkthim të thjeshtë, qytetarët po marrin kredi me interes gjithnjë e më të lartë, ndërsa kursimet e tyre vazhdojnë të mbeten burim fitimi për bankat. Në fund të korrikut, kapitali i përgjithshëm i bankave komerciale arriti 1.08 miliardë euro, duke reflektuar fuqinë financiare të sistemit bankar, por edhe peshën që e bartin qytetarët për këtë sukses. /Kujdestari.info/
