E hënë, 4 Maj, 2026

Policia del me paralajmërim: Mesazhe të rreme po synojnë llogaritë bankare

Ndaj

Pas raportimit të publikuar nga Kujdestari.info lidhur me dyshimet për mashtrime ndaj klientëve bankarë në Kosovë, ka reaguar edhe Policia e Kosovës, duke konfirmuar rastet dhe duke paralajmëruar qytetarët për rrezikun.

Në një njoftim zyrtar, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren bën të ditur se kohët e fundit është vërejtur një dukuri shqetësuese, ku qytetarë të ndryshëm kanë pranuar mesazhe të rreme telefonike.

Sipas Policisë, përmes këtyre mesazheve qytetarët njoftohen se xhirollogaritë e tyre do të bllokohen nëse nuk ndërmarrin veprime të menjëhershme. Mesazhet përmbajnë edhe linke të dyshimta, ku kërkohet futja e të dhënave personale dhe bankare.

“Pas futjes së këtyre të dhënave, persona të paautorizuar arrijnë të kenë qasje në llogaritë bankare dhe përfitojnë mjete financiare në mënyrë të kundërligjshme, konkretisht xhirollogaritë zbrazen”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndjekin këto këshilla:

  • Mos hapni linke të dyshimta të pranuara përmes SMS apo aplikacioneve;
  • Mos ndani fjalëkalime, kode apo të dhëna personale në platforma të pasigurta;
  • Në rast dyshimi për mashtrim, raportoni menjëherë në polici.

Autoritetet theksojnë se mbrojtja e qytetarëve mbetet prioritet dhe se do të vazhdojnë angazhimin për luftimin e këtyre veprimeve të kundërligjshme.

Ndryshe, gjatë ditëve të fundit janë raportuar dhjetëra raste të ngjashme, ku qytetarë kanë pretenduar se janë mashtruar përmes mesazheve në emër të bankave, duke humbur mjete financiare nga llogaritë e tyre. /Kujdestari.info/

Hakerët sulmojnë klientët e TEB Bank në Kosovë, raportime në rritje në Polici

Lexo më shumë

Të tjera