Në ditët e fundit, është rritur shqetësimi për një valë të mundshme sulmesh kibernetike që po targetojnë klientët e TEB Bank në Kosovë. Sipas informacioneve fillestare, dyshohet se qytetarët po bien pre e mesazheve të rreme (SMS), ku kërkohet përditësimi i të dhënave personale, ndërsa më pas u zhduken mjete financiare nga llogaritë bankare, shkruan Kujdestari.info.
Rastet janë raportuar në numër të konsiderueshëm gjatë ditës së shtunë, ku sipas burimeve, Policia e Kosovës është “bombarduar” me ankesa nga qytetarë që pretendojnë se janë mashtruar përmes këtyre metodave.
Ndërkohë, vetë TEB Bank ka reaguar para dy ditwve publikisht përmes një njoftimi në rrjetet sociale, duke konfirmuar ekzistencën e tentativave mashtruese. Banka ka paralajmëruar klientët që të mos klikojnë në linke të dyshimta dhe ka theksuar se asnjëherë nuk kërkon të dhëna sensitive përmes SMS, emailit apo rrjeteve sociale, përfshirë PIN-in, kodet OTP, numrat e kartelave apo kredencialet e e-banking.


Sipas praktikave të njohura të sulmeve “phishing”, hakerët krijojnë mesazhe që duken zyrtare, shpesh me logo dhe emër të bankës, duke përfshirë linke që i dërgojnë përdoruesit në faqe të rreme që imitojnë faqen zyrtare të bankës. Pasi viktima fut të dhënat e saj, ato bien direkt në duart e sulmuesve, të cilët më pas mund të kenë qasje në llogaritë bankare dhe të kryejnë transaksione të paautorizuara.
Këto sulme nuk janë drejtpërdrejt ndaj bankës si institucion, por ndaj klientëve të saj, duke shfrytëzuar besimin dhe mungesën e kujdesit në momentin e reagimit ndaj mesazheve urgjente.
Në këtë fazë, Kujdestari.info është në pritje të një përgjigjeje zyrtare si nga Policia e Kosovës, ashtu edhe nga TEB Bank, për të marrë informacione më të detajuara mbi rastet e raportuara dhe masat që po ndërmerren për mbrojtjen e klientëve./Kujdestari.info/