Rreth 4 milionë mungesa të nxënësve janë evdientuar në shkollat e Prishtinës vetëm në gjysmë vjetorin e parë. E pas kësaj ka reaguar Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës. Drejtori Samir Shahini ka bërë të ditur se qysh sot në mëngjes ka angazhuar stafin e Drejtorisë së Arsimit, për të ndërmarrë një aksion të gjerë në shkollat fillore e të mesme të Kryeqytetit për evidentimin e mungesave të nxënësve dhe masave që po merren nga shkollat.
“Shifrat që po shohim janë shqetësuese. Mungesat e paarsyeshme nuk janë vetëm orë të humbura mësimi — ato janë një sinjal për probleme më të thella dhe një rrezik real për zhvillimin dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Kur nxënësit nuk janë në shkollë, ku janë? A janë prindërit në dijeni? A po reagojnë shkollat me kohë dhe me seriozitet? Sipas raportimeve në nivel vendi, flitet për rreth 4 milion mungesa në një gjysmëvjetor, prej tyre afro 1 milion të paarsyeshme. Kjo nuk mund të trajtohet si statistikë — është një alarm që kërkon reagim të menjëhershëm”, ka shkruar Shahini në Facebook.