Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se deklarimi i të ardhurave nga qiraja është në rritje, ndërsa gjatë viteve të fundit janë mbledhur miliona euro nga tatimi mbi qiranë.
Sipas të dhënave të publikuara, mbi 30 mijë biznese dhe qindra qytetarë kanë deklaruar të hyrat nga qiraja. Vetëm gjatë vitit 2025, janë paguar rreth 29.9 milionë euro tatim nga bizneset, ndërsa mbi 1.27 milion euro nga qytetarët si persona fizikë.
Statistikat tregojnë se në vitin 2024 janë inkasuar 25.9 milionë euro nga bizneset dhe 1.21 milion euro nga qytetarët. Ndërsa për vitin 2026 deri tani janë regjistruar 8.18 milionë euro nga bizneset dhe 290 mijë euro nga qytetarët.
ATK ka sqaruar se të ardhurat nga qiraja përfshijnë qiranë mujore, por edhe qiranë afatshkurtër ditore apo javore.
Sipas institucionit, deklarimi i saktë i këtyre të hyrave rrit transparencën fiskale, ndërsa tatimi i paguar kontribuon në ofrimin e shërbimeve publike më të mira për qytetarët. /Kujdestari.info/
