Nëse një radio ka të hyra bruto vjetore 100 mijë euro, për transmetim muzike do t’i duhet të paguajë deri në 4500 euro. Edhe për televizione shifrat janë të përafërta. Kjo është përqindja maksimale në bazë të tarifave të publikuara nga “Kosova Music Right Society”, e të cilat, meqë nuk ka asnjë kundërshtim, janë drejt miratimit. Këto vijnë pas atyre për restorantet dhe kafenetë që tashmë janë në fuqi për vitin që vjen. Prej ditës së parë të janarit s’do të ketë më muzikë falas në radio, televizione e as kafene, restorante dyqane e qendra tregtare.
Krejt radiot në Kosovë do të paguajnë si tarifë vjetore për të drejtën e autorit nga 2.5 për qind deri në 4.5 për qind të të ardhurave vjetore bruto, varësisht nga kohëzgjatja e transmetimit të veprave muzikore. E për televizione vlen i njëjti rregull sa u përket të ardhurave bruto, veçse dallojnë tarifat. Varësisht nga koha e transmetimit, ato lëvizin prej 1.5 për qind deri në 4 për qind të të ardhurave bruto. E kur të ardhurat janë të ulëta dhe nuk pasqyrojnë vlerën reale ose nuk janë të disponueshme do të aplikohen tarifa në bazë të audiencës: Te radiot prej 800 deri në 6500 euro kurse për televizione prej 500 deri në 5500 euro. Këto tarifa do të jenë në fuqi nëse televizionet ose radiot s’i kanë kundërshtuar deri të enjten, kur qe edhe afati i fundit. Në të kundërtën llogariten të jenë në fuqi prej ditës së parë të vitit që vjen.
“Kosova Music Right Society” si organizatë e licencuar për menaxhimin kolektiv për të drejtat e autorit në fushën e muzikës i ka bërë publike tarifat. Këto vijnë pas atyre për restorantet dhe kafenetë që tashmë janë në fuqi për vitin që vjen. Prej ditës së parë të janarit s’do të ketë më muzikë falas në radio, televizione e as kafene, restorante dyqane e qendra tregtare.
Nëpërmjet një procesi që ka nisur vitin e kaluar, Ministria e Kulturës ia ka marrë licencën shoqatës APIK, është regjistruar shoqata e re dhe tashmë po afrohet afati i pagesës së tarifave.
Prej 30 marsit drafttarifat qenë të publikuara në ueb-faqen e shoqatës, e po ashtu me një njoftim edhe në atë të Ministrisë së Kulturës.
“Kosova Music Right Society” ka sqaruar se formula mbi të cilën janë ndërtuar tarifat buron drejtpërdrejt nga zbatimi i Ligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, i cili përcakton shprehimisht kriteret që duhet të merren në konsideratë për vendosjen e tyre.
“Në këtë kuadër, metodologjia e KMRS është ndërtuar duke reflektuar kriteret e kërkuara nga Ligji, përkatësisht: të ardhurat që mund të përfitohen si rezultat i përdorimit të një vepre; kapacitetin dhe shtrirjen e transmetimit; madhësinë e publikut; vendndodhjen gjeografike dhe karakteristikat ekonomike të tregut; rastet kur të ardhurat nuk pasqyrojnë natyrën reale të përdorimit (tarifa minimale); rëndësinë e përdorimit të veprave muzikore në aktivitetin e përdoruesit si dhe raportin ndërmjet veprave të mbrojtura dhe përmbajtjeve të tjera”, shkruhet në sqarimet e shoqatës. Bëhet e ditur se gjithashtu, në përputhje me kërkesat ligjore, është marrë në konsideratë edhe nevoja për të diferencuar nivelin e tarifave në varësi të burimit të të ardhurave, në veçanti ndërmjet subjekteve të financuara nga subvencionet publike dhe atyre që operojnë mbi baza komerciale.
“Për përmbushjen e kriterit të krahasimit, tarifat e propozuara janë analizuar në raport me tarifat e organizatave të ngjashme kolektive në vende të tjera, në veçanti ato me kushte ekonomike dhe standard jetese të krahasueshme me Republikën e Kosovës, përfshirë Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Malin e Zi, Serbinë, Greqinë, Bullgarinë dhe Kroacinë. Duhet theksuar se për një pjesë të këtyre vendeve, të dhënat e disponueshme janë të periudhave të mëhershme (në disa raste që nga viti 2011), çka nënkupton se nivelet aktuale të tarifave janë me gjasë më të larta”, shkruhet në përgjigje. Sqarohet se në këtë kontekst, tarifat e propozuara nga shoqata janë pozicionuar nën nivelin e këtyre referencave dhe reflektojnë një qasje të kujdesshme, duke përmbushur njëkohësisht kërkesat e ligjit. Kjo shoqatë ka sqaruar se sa i përket përfaqësimit, në fushën e menaxhimit kolektiv referimi bëhet në repertor dhe jo në individë apo kompani të veçanta. Sipas përgjigjeve, në këtë kuadër, KMRS-ja përfaqëson të paktën 30 mijë vepra muzikore vendore, si dhe qindra mijëra vepra ndërkombëtare.
“Sa u përket kundërshtimeve, deri më tani nuk ka pasur kundërshtime, por vetëm kërkesa për sqarime lidhur me kriteret dhe mekanizmat ligjorë, të cilat janë të përcaktuara drejtpërdrejt nga ligji dhe për të cilat organizata nuk ka kompetencë apo hapësirë për ndërhyrje”, shkruhet në përgjigjet e kthyera pa përfunduar afati i kundërshtimeve. Shoqata ka bërë të ditur se lidhur me implementimin, nisja e zbatimit të tarifave është planifikuar për vitin e ardhshëm kalendarik, në përputhje me procedurat përkatëse ligjore.
Në pyetjet e KOHË-s për Ministrinë e Kulturës, ky institucion ka sqaruar se organizata e licencuar për menaxhim kolektiv, administron një repertor që përfshin mbi 30 mijë vepra muzikore vendore, si dhe përmes marrëveshjeve të ndërkombëtare, si ajo me “Universal Music”, KMRS administron një repertor të gjerë ndërkombëtar. Sipas MKRS-së, në praktikën e menaxhimit kolektiv të të drejtave, repertori nënkupton tërësinë e veprave për të cilat një organizatë e menaxhimit kolektiv është e autorizuar të administrojë të drejtat në emër të bartësve të të drejtave, përfshirë raste ku një vepër mund të ketë më shumë se një bartës të të drejtave, si autorë, bashkautorë, interpretues apo prodhues, varësisht nga struktura përkatëse e të drejtave. Ministria e Kulturës në përgjigjet e kthyera pak ditë para mbylljes së afatit për kundërshtive, ka bërë të ditur se ka pranuar vetëm dy kërkesa për sqarime, të cilat kanë të bëjnë me formën dhe mënyrën e përcaktimit të tarifave.
“Nuk është pranuar asnjë kundërshtim lidhur me nivelin apo lartësinë e tarifave të propozuara. Në përputhje me nenin 102 të Ligjit për drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta, nëse brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh nga publikimi i tarifave asnjë organizatë përfaqësuese e përdoruesve, përfaqësues i përbashkët i autorizuar i përdoruesve, apo person fizik ose juridik i detyruar për pagesën e shpërblimit, nuk e njofton organizatën e menaxhimit kolektiv dhe Zyrën se nuk i pranon tarifat, atëherë konsiderohet se tarifat janë miratuar për vitin kalendarik në vijim. Kjo nënkupton se, në rast të përmbushjes së kushteve të përcaktuara në ligj, tarifat do të konsiderohen të miratuara për vitin 2027”, ka thënë të ditur Ministria e Kulturës.
Në tetor të vitit të kaluar Ministria e Kulturës në bashkëpunim me “Kosova Music Rights Society” ka mbajtur konferencën informuese me temën “Fuqizimi i të drejtave muzikore përmes menaxhimit kolektiv”. Në këtë ngjarje ishte bërë edhe lansimi zyrtar i organizatës së menaxhimit kolektiv për të drejtat e autorit në fushën e muzikës. Organizata udhëhiqet nga Kaltrina Mehmeti.
Kosova tenton prej vitit 2012 që nëpërmjet organizatave për menaxhimin kolektiv të të drejtave të autorit të nisë respektimin e Ligjit për mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta. Por me gjithë negociatat mbi marrëveshjet për tarifa, një gjë e tillë nuk është bërë. Pas marrjes së licencës së organizatës APIK, organizata e re në mënyrë të shpejtë ia kishte dalë t’i ketë tarifat për lokale. Në korrikun e vjetëm njoftoi palët dhe publikun se “Kosova Music Rights Society” ka publikuar draft-tarifat për shfrytëzimin e veprave të mbrojtura të muzikës për vitin 2026. KMRS-ja është e licencuar nga MKRS-ja në prill të vitit 2025. Tarifat për lokale tashmë janë miratuar. E për të përfituar nga mbrojtja kolektive e të drejtave të autorit, artistët duhet të regjistrohen ose të anëtarësohen në shoqatë. Për ata me xhiro vjetore deri në 30 mijë euro, anëtarësimi kushton 20 euro në vit, për ata me xhiro nga 30 mijë deri në 100 mijë euro në vit, anëtarësimi kushton 200 euro, kurse për ata që tejkalojnë këtë xhiro vjetore, anëtarësimi kushton 350 euro. Por thelbi i këtij procesi janë pagesat për transmetim muzike. Sipas tarifave, nëse një kafene a restorant me atmosferë muzikore ka xhiro vjetore nga 401 mijë deri në 450 mijë euro në vit, fiks 5 mijë e 260 euro do t’i paguajë për muzikë. Për koncerte e shfaqje muzikore organizatorët do të paguajnë 4 për qind të të hyrave të ngjarjes dhe kjo përqindje rritet nga viti në vit. Spektaklet e muzikës do të paguajnë 17 euro për të drejtat e autorit nëse shpenzimet e organizmit janë një mijë euro. Kjo varet edhe nga bileta e hyrjes. Kur rriten shpenzimet përshkallëzohet edhe tarifa. Te ngjarjet sportive shembulli i parë është se nëse bileta hyrëse është 5 euro dhe mblidhen 250 veta, do të paguhen 25 euro si tarifë për të drejtat e autorit. Rrjetet tregtare deri në 300 metra katrorë do të paguajnë fiks 80 euro në vit, mbi këtë sipërfaqe nga 0.10 centë për metër katror në vit.
Kafenetë e restorantet me atmosferë muzikore do të paguajnë në bazë të xhiros vjetore. Deri në 50 mijë euro paguhen 150 euro në vit.
Kafehanet e restorantet tradicionale do të paguajnë tarifën në bazë të banorëve që ka komuna. Shkallëzimi nis me 15 euro për 10 mijë banorë. Agjencitë e shitjeve e zyrat e tjera që ofrojnë shërbime për publikun do të tarifohen në bazë të numrit të punëtorëve. Prej 1 deri në 6 punonjës paguhet nga 60 euro në vit. Sallat e sportit do të kenë tarifë 40 centë për metër katrorë, kurse hapësirat e ushqimit të shpejtë, varësisht prej karrigeve që kanë për klientë. Për 10 vende, tarifa është 50 euro në vit.
Paraprakisht në marsin e vitit 2018, Ministria e Kulturës kishte njoftuar për arritjen e marrëveshjes midis APIK dhe televizioneve e radiove. Katër kanalet e Radiotelevizionit të Kosovës do të paguanin shumën vjetore prej 30 mijë eurosh tarifë të përgjithshme për të pasur të drejtë të shfrytëzojë muzikën për transmetim. Televizionet me frekuencë kombëtare do të paguanin nga 6 mijë euro në vit tarifë, televizionet regjionale 1 mijë e 200 euro tarifë vjetore, TV-të lokale 600 euro, kanalet kabllore muzikore 2 mijë e 400 euro, kanalet e tjera kabllore 1 mijë e 800 euro, radiot nacionale 3 mijë 600 euro, ato regjionale 720 euro, radiot lokale 480 euro, TV-të dhe radiot me fuqi të ulët do të paguanin 240, respektivisht 180 euro. Krejt kjo s’kishte funksionuar. /Koha.net