E enjte, 30 Prill, 2026

MINTI del me një kërkesë për gjithë qumështarët rreth specifikave të produkteve të qumështit në treg

Ndaj

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) i njofton të gjithë operatorët ekonomikë, që veprojnë në fushën e prodhimit, importit, distribuimit, si dhe shitjes me shumicë dhe pakicë të produkteve të qumështit, se, në përputhje me Ligjin nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit, përkatësisht neni 9 dhe neni 16, si dhe Ligjin nr. 2004/ 18 për Tregtinë e Brendshme, përkatësisht neni 48, janë të obliguar të respektojnë këto kërkesa:

  1. Në përputhje me dispozitat që rregullojnë informimin e drejtë dhe të saktë të konsumatorit, deklaracioni i produktit në gjuhët zyrtare, i vendosur në paketim, duhet të paraqesë në mënyrë të qartë, të lexueshme dhe të dukshme përbërjen e produktit, duke specifikuar nëse produkti është:

 me bazë shtazore (100%) (dairy);

 me bazë bimore; (plant-based milk), apo

 me bazë të qumështit pluhur.

  1. Në përputhje me rregullat për ushtrimin e tregtisë dhe prezantimin e mallrave në treg, subjektet që bëjnë shitje me pakicë janë të obliguara të sigurojnë ndarjen dhe prezantimin e qartë të produkteve në rafte, sipas kategorive në vijim:

 produktet e qumështit me bazë shtazore (dairy);

 produktet me bazë bimore (plant-based milk);

 produktet me bazë të qumështit pluhur.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, do të intensifikojë aktivitetet e inspektimit në ditët në vijim, në përputhje me kompetencat ligjore për mbikëqyrjen e tregut, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe parandalimit të praktikave mashtruese.

Ne rast të moszbatimit të legjislacionit në fuqi për ndarjen fizike dhe etiketimin e produkteve, operatorët ekonomikë do të ndëshkohen sipas dispozitave të ligjit në fuqi.

Njëkohësisht, ftohen të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që, në rast se vërejnë parregullsi, përfshirë mungesën e klasifikimit të produkteve apo mos deklarimin e qartë të përbërjes, të paraqesin ankesat e tyre së bashku me dëshmi përkatëse (p.sh. fotografi nga raftet), përmes:

 numrit të telefonit: +383 (0) 46 311-000 (Viber), ose

 adresës elektronike: [email protected] .

Për çdo parregullsi të konstatuar gjatë inspektimeve, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut do të ndërmarrë masa ndëshkuese në përputhje me legjislacionin në fuqi.

 

Lexo më shumë

Të tjera