E martë, 14 Prill, 2026

Ministria shqipton gjoba deri në 5 mijë euro ndaj KEDS-it për njehsorët me afat të skaduar të verifikimit

Ndaj

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se Inspektorati ka shqiptuar gjobë ndaj KEDS-it në vlerë prej 1500 deri 5000 euro për secilin njehsor me afat të skaduar të vlefshmërisë.

Në një njoftim për media, MINTI ka bërë të ditur se gjatë verifikimeve pas ankesave të konsumatorëve për devijim të orëve në njehsorë, janë hasur edhe të tillë me afat të skaduar.

“Në bazë të këtyre gjetjeve, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, duke u mbështetur në Ligjin për Metrologji (neni 46, paragrafi 1.3, nënparagrafi 1.3.2), ka shqiptuar gjoba në vlerë prej 1,500 deri në 5,000 euro për secilin njehsor me afat të skaduar të vlefshmërisë”, thuhet në njoftim të MINTI-t.

Ministria s’ka treguar për sa njehsorë bëhet fjalë.

Ajo ka treguar po ashtu se me qëllim të lehtësimit të raportimit të parregullsive në treg, nga sot është funksionalizuar edhe një numër mobil për pranimin e ankesave. Qytetarët mund të adresojnë ankesat e tyre në çdo kohë, përfshirë ditët e vikendit dhe festat, edhe përmes platformës Viber. Numri për pranimin e ankesave: +383 (0) 46 311-000

Javë më parë, LDK-ja ka denoncuar se njehsorët e rrymës po kalkulojnë me orë të gabuar shpenzimet – duke përllogaritur me orë të shtrenjtë në kohën kur njerëzit mendojnë se po kursejnë me orë të natës. LDK pretendon se nga 884 njehsorë të verifikuar sipas tyre, 87% e njehsorëve për matjen e energjisë elektrike faturojnë qytetarët më shtrenjtë edhe kur tarifa është me të lirën.

Lexo më shumë

Të tjera