Për rreth dy muaj e gjysmë punë, deputetët e legjislaturës së dhjetë kanë përfituar mbi 575 mijë euro për paga, pa përfshirë shpenzime të tjera si ato për asistentët. Në mungesë të të hyrave të tjera, ata mund ta marrin pagën edhe për 12 muaj pas përfundimit të mandatit, edhe nëse nuk rizgjidhen.
Legjislatura e dhjetë ka zgjatur 77 ditë dhe gjatë kësaj kohe janë miratuar 35 ligje, prej tyre 24 marrëveshje ndërkombëtare. Për pagat e 120 deputetëve në këtë periudhë janë shpenzuar rreth 575 mijë euro.
Sipas ligjit, deputetët kanë të drejtë në pagë bazë për një vit pas mandatit, “deri në fillimin e realizimit të të hyrave nga ndonjë burim tjetër”. Paga bazë është 1.914 euro në muaj, që për një vit arrin në rreth 23 mijë euro për secilin deputet pa të ardhura të tjera.
Nga 120 deputetë, 75 kanë pasur asistentë personalë me pagë rreth 900 euro, duke kushtuar rreth 67,500 euro në muaj.
Në legjislaturën e nëntë, shpenzimet për paga të deputetëve dhe asistentëve kanë arritur afro 2 milionë euro, ndonëse ajo nuk arriti të formojë qeverinë. Një muaj pas përfundimit të mandatit, 67 deputetë u deklaruan të papunë për të përfituar pagën kalimtare, por rizgjedhja e disa prej tyre e uli këtë numër.
Aktualisht, pagën kalimtare e marrin 15 ish-deputetë nga parti të ndryshme dhe komunitetet. Disa ish-deputetë nga PDK, LDK, AAK, Nisma dhe Lista Serbe nuk kanë aplikuar për këtë kompensim.
Kuvendi i Kosovës u shpërnda më 28 prill pas dështimit për zgjedhjen e presidentit.