Mbi 660 mijë euro janë shpenzuar nga katër partitë kryesore politike në vetëm 12 ditë fushatë për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Dy të tretat e kësaj shume kanë shkuar për reklama, përfaqësim dhe konferenca, duke reflektuar një orientim të theksuar drejt promovimit medial, veçanërisht në platformat online
Mbi 660 mijë euro janë shpenzuar nga katër partitë kryesore politike në vetëm 12 ditë të fushatës për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Sipas raporteve financiare të paaudituara të dorëzuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, rreth 66 për qind e kësaj shume, apo mbi 435 mijë euro, janë orientuar në reklama, përfaqësim dhe konferenca.
Rekordin e shpenzimeve në reklama e mban Lidhja Demokratike: 175.000 euro, përcjellë nga Vetëvendosja: 145.000, Partia Demokratike: 83.000 dhe në fund AAK-ja; 31.000 euro.
LDK-ja e mban edhe një rekord tjetër. Është partia me më së paku të hyra gjatë fushatës së dhjetorit, vetëm 1000 euro, përcjellë nga AAK-ja me 20.000, Vetëvendosja me 104.000 dhe partia me më së shumti të hyra, PDK-ja – 178.000 euro.
Ligji për zgjedhjet përcakton limitin e shpenzimeve të partive politike në fushata zgjedhore në bazë të numrit të votuesve të regjistruar. Për çdo votues 1 euro, e në zgjedhjet e dhjetorit në listat e KQZ-së kanë figuruar mbi 2 milionë votues të regjistruar. Ndërsa, limitin e poshtëm e përcaktojnë mundësitë dhe strategjitë e vet partive për të bërë fushatë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të martën pritet që të nxjerrë shifrën e votuesve të regjistruar dhe me këtë edhe limitin e sipërm të shpenzimeve për partitë për fushatën e zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit.
Ligji për zgjedhjet e përgjithshme, konkretisht neni 48, parasheh që mediat t’u japin mundësi të njëjta të gjitha subjekteve politike.