E premte, 8 Maj, 2026

Mbi 19 milionë euro mallra nga Serbia në prill- importet nga rajoni “vërshojnë” tregun e Kosovës

Ndaj

Tregu i Kosovës vazhdon të mbetet fuqishëm i varur nga importi i mallrave nga vendet e rajonit, ndërsa Serbia po rikthehet sërish në mesin e shteteve me depërtimin më të madh ekonomik në vend. Vetëm gjatë muajit prill 2026, vlera e mallrave të importuara nga Serbia ka kaluar shifrën e 19.6 milionë eurove, duke shënuar nivelin më të lartë të importit në katër muajt e parë të vitit, shkruan Kujdestari.info.

Sipas të dhënave doganore për regjimin IM4, Serbia gjatë janarit kishte importuar në Kosovë mallra në vlerë prej 9.17 milionë eurosh. Në shkurt kjo shifër u rrit në 15.82 milionë euro, ndërsa në mars arriti në 18.69 milionë euro. Kulmi u regjistrua në prill me 19.63 milionë euro mallra të futura në tregun kosovar.

Në total, vetëm për katër muaj, Serbia ka eksportuar drejt Kosovës mbi 63.3 milionë euro mallra, duke dëshmuar ndikimin e madh që vazhdon të ketë në ekonominë dhe furnizimin e tregut vendor.

Por Serbia nuk është e vetmja që po dominon tregun kosovar. Të dhënat tregojnë se edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë shënuar rritje të mëdha të importeve drejt Kosovës.

Shqipëria, vetëm gjatë muajit prill, ka importuar në Kosovë mallra në vlerë prej 16.1 milionë eurosh. Në janar kjo vlerë ishte 7.01 milionë euro, në shkurt 10.25 milionë euro, ndërsa në mars 12.36 milionë euro. Në total, importet nga Shqipëria për katër muajt e parë të vitit kanë arritur në mbi 45.7 milionë euro.

Edhe Maqedonia e Veriut mbetet ndër partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës. Vetëm në prill, mallrat e importuara nga Maqedonia e Veriut kanë arritur vlerën prej 19.61 milionë eurosh, pothuajse sa Serbia. Në janar importi kishte qenë 8.59 milionë euro, në shkurt 17.04 milionë euro, ndërsa në mars 17.53 milionë euro.

Në total, importet nga Maqedonia e Veriut gjatë katër muajve të parë të vitit kanë kaluar shifrën e 62.7 milionë eurove.

Krahasuar me vendet tjera të rajonit, Serbia dhe Maqedonia e Veriut po zhvillojnë një “garë” për dominimin e tregut kosovar, ndërsa Shqipëria po vazhdon të rrisë gradualisht praninë ekonomike në Kosovë.

Shifrat tregojnë qartë se tregu kosovar vazhdon të mbetet kryesisht konsumues dhe i mbështetur në import, me dhjetëra miliona euro që dalin çdo muaj jashtë vendit për furnizim me mallra nga rajoni. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera