E mërkurë, 18 Shkurt, 2026

Lufta politike ndaj Devollëve? Shteti, megjithatë, u rihap dyert biznesve të tyre

Ndaj

Tashmë nuk ka asnjë sekret që pushteti aktual i ka shpallur një “luftë” dy vëllezërve Devolli, Blerimit dhe Shkëlqimit, konkretisht bizneseve që udhëhiqen prej tyre. Jo rrallë herë aktiviteti i tyre është lidhur me Serbinë. Megjithatë, bizneset korporative Devolli tashmë operojnë në prona të shtetit, shkruan Kujdestari.com.

Nëse do të zbatohej në praktikë e gjithë urrejtja e partisë në pushtet ndaj vëllezërve Devolli, ata do të ishin dëbuar nga Kosova që në mundësinë e parë. Por, bizneset e dy vëllezërve nga Peja vazhdojnë të veprojnë pikërisht mbi asete të shtetit. Madje, shteti pati mundësi që t’i largojë nga pronat e tij, por nuk e bëri. Përkundrazi, u rinovoi kontratat. Bëhet fjalë për asete që ata i shfrytëzojnë në pronat e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), konkretisht në hotelin Grand.

Ka vite që Grand Hoteli është shndërruar në një qendër tregtare, duke lëshuar lokalet e tij me qira për biznese të ndryshme.

Kujdestari.info ka vërejtur se disa prej lokaleve të vëllezërve Devolli të vendosura aty, si Comodita dhe Prince Cafe, u kanë skaduar kontratat para disa javëve. Këto kontrata ishin lidhur vite më parë në qeveritë e kaluara përmes tenderëve të hapur. Por AKP ka vendosur që t’i vazhdojë këto kontrata në heshtje, pa i futur në garë të hapur.

Detaje të kontratave:

  • Prince Coffee House SH.P.K shfrytëzon një lokal prej 505.64 m² me qira mujore prej 4,623.00 euro. Kontrata ishte lidhur më 15/06/2015 dhe ka skaduar më 31/07/2025.
  • Po ashtu, Prince Coffee House ka një tjetër lokal në Grand, 726.22 m², me qira mujore 8,060.00 euro. Kontrata, e lidhur më 08/07/2016, ka skaduar më 31/07/2025.
  • Bluechip International L.L.C (njësi Comodita) ka pasur kontratë prej 15/03/2022 deri më 30/06/2025.
  • Kompania Artmotion, edhe pse nuk është zyratrisht në pronësi e vëllezërve Devolli, shfrytëzon një lokal 33 m² me qira mujore 1,505.00 euro. Kontrata ishte lidhur më 01/06/2019 dhe skadon më 30/10/2025.
  • Kujdestari.info ka pyetur konkretisht AKP-në lidhur me këto kontrata:

“Në vitin 2015/2016, AKP kishte dhënë me qira, përmes tenderit, disa lokale në NewCo Grand Hotel Sh.p.k. Disa prej tyre tashmë kanë skaduar kontratat, ndër to edhe Prince Coffee House Sh.p.k., ndërsa të tjera pritet të skadojnë pas pak javës. Për ato lokale që kanë skaduar, a janë lidhur kontrata të reja apo do t’i fusni përsëri në procedurë tenderimi? Nëse janë lidhur kontrata të reja, për sa kohë dhe përmes cilës metode?”

AKP nuk ka dashur të identifikojë emrat e bizneseve në përgjigje. Kanë thënë se janë vazhduar të gjitha kontratat që kishin skaduar, dhe për një vit me mundësi vazhdimi për ato biznese që kishin qenë të rregullta në pagesa.

“Në përputhje me nenin 9 të Rregullores nr. 03/2025 për qiradhënien e aseteve të Ndërmarrjeve Shoqërore, kontratat e qirasë lidhen për periudhë njëvjeçare me mundësi vazhdimi. Në rastet kur qiramarrësit i përmbushin detyrimet e tyre, kontratat u vazhdohen. Kontratat e qirasë nuk vazhdohen në rastet kur shfrytëzuesi nuk ka respektuar kontratën dhe ka bërë shkelje; asetet e liruara i nënshtrohen procedurave të qiradhënies përmes tenderit publik, në përputhje me Rregulloren. Kontratat ndërpriten edhe kur për ndonjë aset merret vendim nga Qeveria e Kosovës për shpronësim dhe veprohet në zbatim të vendimit të Qeverisë”, thuhwt nw pwrgjgijen e AKP-së për Kujdestari.info.

Në Grand Hotel operojnë disa biznese, disa prej të cilave u kanë skaduar kontratat muajin e kaluar, ndërsa disa të tjera kontratat u skadojnë së shpejti. Bëhet fjalë për lokale që janë lidhur vite më parë me tenderë të hapur, në qeveritë e kaluara, dhe që tashmë po vazhdojnë të shfrytëzohen pa procedura të reja konkurruese. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera