E premte, 1 Maj, 2026

KQZ: 10 milionë euro për zgjedhjet, fushata zgjedhore zgjat 10 ditë

Ndaj

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar afatet, planin dhe buxhetin për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 7 qershor, gjatë mbledhjes të së premtes.

10 milionë e 800 mijë euro është buxheti i këtyre zgjedhjeve, teksa fushata zgjedhore do të nisë nga 28 maji. Në total i bie që fushata do të zgjasë 10 ditë e 7 orë.

2 deri më 10 maj do të pranohen aplikimet për certifikimin e partive politike apo iniciativave qytetare, të pa certifikuara më parë.  Dorëzimi i listës së kandidatëve të subjekteve politike të certifikuara do të bëhet nga 2 – 12 maj.

Tërheqja e shortit për renditjen e partive politike në fletëvotime do të bëhet më 16 maj.

“KQZ merr vendim për emërimin e anëtarëve të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve më së largu deri më datën 8 të këtij muaji. Publikimi i listës së qendrave të votimit do të bëhet më 5 maj”, ka thënë Alban Krasniqi, anëtari në KQZ nga LVV.

Regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës bëhet nga 6 deri më 17 maj, ndërsa votimi përmes postës zhvillohet nga 25 maj deri më 6 qershor. Votimi në përfaqësi diplomatike do të mbahet më 6 qershor nga ora 07:00 deri 19:00. Brenda vendit, periudha për kundërshtimin dhe korrigjimin e listës së votuesve zgjat nga 6 deri më 18 maj.

Lexo më shumë

Të tjera