E enjte, 25 Qershor, 2026

Komercialja urdhëron NPB-në t’u paguajë mbi 32 milionë euro tri kompanive private për projektin afaristo-banesor në ‘Lakrishte’

Ndaj

Shkalla e Parë e Gjykatës Komerciale, me datë 17.03.2026, ka nxjerrë një aktgjykim të ri përmes të cilit ka urdhëruar Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB) që t’u paguajë tri kompanive private shumën prej 32 milionë e 571 mijë euro, në emër të fitimit të humbur, në lidhje me ndërtimin e projektit afaristo-banesor në lagjen “Lakrishte” të Prishtinës, për të cilin projekt NPB dhe tre kompanitë kishin nënshkruar kontratë në vitin 2021.

Kontrata parashihte që tri kompanitë private të marrin tokën publike në një nga zonat më të kërkuara të Prishtinës dhe të ndërtojnë pesë kulla të larta afaristo-banesore. Prej këtyre kullave, dy do i takonin Ndërmarrjes Publike Banesore, apo 36%, ndërsa kompanitë private do të merrnin tri prej tyre, apo 64% të tërë hapësirës ndërtuese.

Por pas më shumë se katër vitesh procedurash gjyqësore, Shkalla e Parë e Gjykatës Komerciale ka konstatuar shkëputjen e kontratës në mes palëve dhe ka urdhëruar NPB-në që t’ua paguajë kompanive private fitimin e humbur, ndonëse projekti nuk u realizua asnjëherë.

Për këtë projekt Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë për korrupsion ndaj tetë ish zyrtarëve të lartë të NPB-së, por shkalla e parë dhe shkalla e dytë e Gjykatës ka rrëzuar aktakuzën, për mungesë të provave.

Të akuzuar kanë qenë ish aksionarët e Ndërmarrjes: Dren Kukaj, Genc Sherifi dhe Vesel Makolli; ish Bordi i Drejtorëve: Lendita Myderrizi, Bekim Pireva, Arbnora Jashanica, Xhevdet Leci; si dhe ish kryeshefi ekzekutiv, Hajdar Hoxhaj.

Procedurat, që nga inicimi i projektit kishin rrjedhur në mënyrë të dyshimtë. Për shembull, afati për interesimin e kompanive për këtë projekt milionësh ka zgjatur vetëm tre ditë; një zyrtar i AKP-së kishte përcaktuar pronat pa qenë i autorizuar; “shkarkimi” i kryeshefit nga ana e Bordit të Drejtorëve, e më pas edhe shkarkimi i Bordit nga ana e aksionarëve.

Për të gjitha procedurat e dyshimta, KALLXO.com detajisht kishte raportuar në nëntor të vitit 2021.

Aktgjykimi i ri i Komerciales

Fillimisht, Shkalla e Parë e Gjykatës Komerciale me 24.07.2025 pat nxjerrë një aktgjykim me të cilën kishte provuar padinë e tri kompanive private, të cilat kishin paditur NPB-në, duke kërkuar zbatimin e kontratës.

Por me 26.01.2026 Shkalla e Dytë e kësaj Gjykate, kishte nxjerrë një aktgjykim, përmes të cilit kishte kthyer çështjen te shkalla e parë për rivendosje.

Shkalla e dytë e Komerciales kishte udhëzuar Shkallën e parë që të evitojë, sipas tyre, kundërthëniet ekzistuese në mes dispozitivit me arsyetimin, arysetimit me faktet vendimtare, si dhe kishte kërkuar që të vlerësohen deklarimet e palës së paditur, këtë rast NPB-së, lidhur me zbatimin e kontratës.

“..respektivisht se për palën e paditur kontrata është e pazbatueshme, që rrjedhimisht len të kuptohet se është shkëputur njëanshëmm kjo kontratë nga e paditura dhe në këtë rast Dhomat e shkallës së parë duhet të vlerësoj kërkesën alternative të paditësve që konsiston në kompensimin e dëmit në zbatim të dispozitave të LMD-së, duke i vërtetuar faktet e reja me rëndësi, karshi kërkesës alternative” – thuhet ndër të tjera në aktgjykimin e Shkallës së Dytë.

Në trajtimin e dytë që i ka bërë kësaj çështje, Shkalla e Parë e Gjykatës Komerciale ka aprovuar pjesërisht padinë e kompanive Made Group Construction; Arkos dhe Madekos; ka konstatuar shkëputjen e kontratës në mes NPB-së dhe këtyre kompanive; si dhe ka urdhëruar NPB-në që të paguajë 32 milionë e 571 mijë euro në emër të fitimit të humbur.

Fillimisht tri kompanitë kishin dorëzuar padi në Gjykatë, duke kërkuar zbatimin e kontratës ose dëmshpërblim për moszbatimin e saj.

Në padinë që kishin dorëzuar në Gjykatën Komerciale, tri kompanitë private kishin thënë se pas nënshkrimit të kontratës, NPB nuk kishte liruar sipërfaqen e pronave ku parashihej ndërtimi, brenda 45 ditëve, siç e parasheh kontrata, duke penguar sipas tyre, fillimin e punimeve.

Kompanitë kishin thënë se kjo kishte ndodhur për faktin se NPB nuk kishte marrë masat adekuate gjatë rrënimit të objekteve ekzistuese në pronat në fjalë, pasi që gjatë largimit të tjegullave është zbuluar materiali kancerogjen i azbestit, gjë që ka shkaktuar ndërprerjen e punimeve.

“Kanë shtuar se gjatë kësaj periudhe, është shfaqur edhe problemi me vijën kufitare të pronave, e cila kishte qenë nën menaxhim të AKP-së, duke shkaktuar tërheqjen e pjesërishme të marrëveshjes për vijën kufitare me pronat e të paditurit, si dhe pezullimin e lejes së ndërtimit nga Drejtoria e Urbanizmit” – thuhet në aktgjykim.

Tutje, sipas aktgjykimit, kompanitë private kanë pretenduar se pasi është zgjidhur problematika me vijën kufitare, si dhe në rastin konkret pasi që janë zgjidhur çështjet kontestuese dhe janë krijuar kushtet për vazhdimin e punimeve, NPB-së, sipas kompanive, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për zbatimin e kontratës.

“Kanë shtuar se në rastin konkret po ashtu janë evituar edhe pengesat tjera procedurale, përkatësisht rasti penal ndaj zyrtarëve të NPB-së dhe urdhri ndalues më nuk ekzistojnë, prandaj, meqenëse i padituri edhe pas evitimit të të gjitha pengesave nuk i ka përmbushur detyrimet e veta kontraktuale, duke shkelur parimet e ndërgjeshmërisë dhe ndershmërisë, duke keqpërdorur të drejtat kontraktuale, i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale paditësve, gjykatës i kanë propozuar që kërkesëpadia të aprovohet në tërësi si e bazuar” – thuhet tutje në aktgjykim.

Në anën tjetër, Ndërmarrja Publike Banesore (NPB), ka kundërshtuar zbatimin e kontratës, duke konsideruar se ka kaluar kohë e gjatë, se nuk janë përgjegjës për mosfillimin e punimeve, si dhe ka konsideruar si të pabazë kërkesën për dëmshpërblim.

Sipas aktgjykimit, NPB kundërshtuar në tërësi padinë e kompanive, duke theksuar se kompanitë pas rivlerësimit të pozicionit të tyre, kanë konstatuar se kontrata mes palëve vazhdon të jetë valide e në fuqi dhe rrjedhimisht, sipas NPB-së, kërkesa e tyre për kompensim të dëmit, konsiderohet e parakohshme dhe juridikisht e pabazuar.

Përmes avokatit Faton Fetahu, NPB ka kundërshtuar kërkesat edhe për zbatimin e kontratës, edhe për kompensimin e dëmit, siç kanë kërkuar kompanitë.

Avokati Fetahu në fjalën e tij ka argumentuar se thelbi i çështjes nuk është vetëm se kontrata nuk është realizuar, por sipas tij, kush e ka shkaktuar juridikisht pamundësinë e realizimit të kontratës dhe a mund t’i ngarkohen NPB-së pasojat e akteve, ndalimeve dhe pezullimeve të tjera nga organet e tjera publike.

“I padituri ka theksuar që nga vet kronologjia e rastit, rezulton që pas lidhjes së kontratës dhe pas fillimit të veprimeve përgatitore në terren, realizimi i projektit nuk u pengua nga një akt arbitrar që do ta bënte përgjegjëse të paditurën, por nga ndërhyrjet e drejtpërdrejta të palëve të treta” – thuhet në aktgjykim.

NPB ka konsideruar se pas korrikut të vitit 2025, edhe nëse formalisht kanë pushuar disa nga pengesat e mëhershme objektive, megjithatë kanë kaluar afatet kontraktuese, ka kaluar kohë e gjatë, kanë ndryshuar rrethanat kontraktuese, kushtet e tregut të pronës dhe ndërtimit, si dhe kanë thënë se vetë qëllimi për të cilin është lidhur kontrata më nuk i përgjigjet asaj për të cilën palët janë marrë vesh.

“Ka shtuar që nuk mund të konsiderohet si fitim i humbur as kostoja e projektit të ndërtimit të banesave dhe lokaleve afariste, sepse në këtë rast ky projekt nuk është ndërtuar fare dhe as që ka filluar të realizohet, në kuptimin e zbatimit të projektit ndërtimor” – thuhet tutje në aktgjykim.

Në anën tjetër, Shkalla e Parë e Gjykatës Komerciale, konkretisht gjyqtari Hasan Kryeziu ka konsideruar se padia e kompanive ndaj NPB-së është pjesërisht e bazuar.

Sipas arsyetimit, Gjykata ka thënë se palët në marrëdhënie kontraktuale janë të detyruara të përmbushin detyrimet që kanë marrë përsipër me kontratë dhe mbajnë përgjegjësi për realizimin e këtyre detyrimeve.

Gjykata ka thënë se pavarësisht vlefshmërisë së kontratës, evitimit të pengesave për realizimin e saj dhe përmbushjes së detyrimeve nga ana e kompanive, NPB nuk ka ndërmarrë asnjë veprim dhe nuk ka përmbushur detyrimet kontraktuese dhe sipas Gjykatës, kjo përbën shkelje të detyrimeve kontraktuese, pasi sipas tyre, ka penguar realizimin e qëllimit të kontratës.

“Duke marrë parasysh këto rrethana dhe udhëzimet e Kolegjit të Shkallës së dytë, gjykata ka vendosur që nga dy kërkesat e parashtruara, përkatësisht kërkesa për zbatimin e kontratës dhe kërkesa për kompensimin e dëmit, paditësve t’u njohë të drejtën për kompensimin e dëmit, si rrjedhojë e moszbatimit të detyrimeve nga pala e paditur” – thuhet në aktgjykim.

Rrjedhimisht, Gjykata Komerciale ka urdhëruar NPB-në që të iu paguajë tre kompanive Made Group Construction, Arkos dhe Madekos shumën e përgjithshme prej 32 milionë e 571 mijë e 952 eurove, në emër të fitimit të humbur.

Hulumtimi i KALLXO

Hulumtimi i KALLXO.com i publikuar në nëntor të vitit 2021 kishte shpërfaqur mënyrën dhe rrjedhën e këtij projekti multimilionësh në tokën publike në një zonë të lakmueshme të kryeqytetit.

Fillimisht Bordi i aksionarëve i NPB-së në atë kohë, i përbërë nga Dren Kukaj, Genc Sherifi dhe Vesel Makolli kishin ndryshuar Statutin e ndërmarrjes, ndërsa Bordi i Drejtorëve i përbërë nga Lendita Myderrizi, Bekim Pireva, Arbnora Jashanica, Xhevdet Leci kishin hartuar një Rregullore të re përmes së cilës i kishin krijuar mundësinë ndërmarrjes – që deri në atë kohë nuk e kishte – që të ketë të drejtë ndërtimin e objekteve banesore dhe jo-banesore.

Më pas duke u bazuar në këtë ndryshim të Statutit dhe Rregulloren e re, Ndërmarrja Publike Banesore me 10.03.2021 hap një thirrje në ueb-faqen e saj të internetit, në të cilën bënte ftonte kompanitë private që të shprehin interesim për të ndërtuar projektin afaristo-banesor në lagjen “Lakrishtë” të Prishtinës.

Afati për shprehje të interesimit ishte i hapur vetëm tre ditë.

Për këtë projekt kishin shprehur interes vetëm 7 kompani. Në fund, projektin e fiton konzorciumi i përbërë nga kompanitë private Made Group Construction, Arkos dhe Madekos. Kompania Made Group Construction ishte regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), me 9 mars 2021, vetëm një ditë para se NPB të hapte thirrjen për interesim. Pronarët e Made Group Construction dhe Madekos janë babë e bir, Bedri dhe Drilon Buzuku.

Sipas kontratës së nënshkruar në mes të NPB-së dhe kompanive e datës 17.05.2021 , 36% e hapësirës totale të ndërtimit do t’i takojnë NPB-së, ndërsa 64% do t’i takojnë kompanive. NPB do të merrte hise vetëm tek hapësirat afariste, e jo tek ato të banimit. Projekti ishte i paraparë të ndërtohet 50% afarizëm dhe 50% banim.

Shprehur në numra, nëse një objekt do të ketë 1 mijë metra katrorë, prej të cilave 500 m2 banim dhe 500 m2 afarizëm, atëherë kompanisë private do t’i takonin 500 m2 banim dhe 140 m2 afarizëm. Kurse, nga 1,000 metra katrorë të këtij objekti, NPB-së do t’i takonin 360 metra katrorë afarizëm.

Prona e NPB-së që do të shfrytëzohet për ndërtimin e projektit e ka vlerën 20 milionë e 512 mijë euro, sipas kontratës së nënshkruar në mes palëve.

Por, një nen i kësaj kontrate kishte ngritur dyshime.

“NPB pronën e paluajtshme të përshkruar në këtë Marrëveshje nuk ka të drejtë ta tjetërsojë, ta shes, ta këmbejë, por të njejtën pronë të paluajtshme duhet ta jap në tërësi në shfrytëzim të përhershëm, me qëllim të objektit banesor-afarist”, thuhet në nenin 4.2 të kontratës.

Ky nen kishte ngritur dyshime se pronat publike do të privatizohen.

Pasi që kishte filluar përgaditjet për fillimin e punimeve, gjatë rrënimit të disa objekteve të vjetra në prona, ishte kuptuar se objektet kishin materiale me përmbajtje azbesti, që është material kancerogjen. Kjo kishte bërë që Minsitria e Ambientit të involvohej, duke e pezulluar projektin.

Pas pezullimit të projektit nga Ministria e Mjedisit kishte zhvillime të reja në Ndërmarrjen Publike Banesore.

Bordi i Drejtorëve i NPB-së në atë kohë, i përbërë nga Lendita Mekuli Myderrizi, Arbnora Jashanica, Xhevdet Leci dhe Bekim Pireva, më 15.10.2021, me vota unanime kishte vendosur për shkarkimin e kryeshefit ekzekutiv, Hajdar Hoxhajt.

Arsyet e shkarkimit të kryeshefit, sipas bordit, ishin neglizhenca për përcjelljen dhe zbatimin e projektit në “Lakrishtë” në përputhje me rregulloret, mosgatishmëria e tij për bashkëpunim, llogaridhënie, informim dhe transparencë ndaj bordit të drejtorëve si dhe mosrespektimi i sugjerimeve dhe kërkesave të drejtuara nga bordi, me qëllim parandalimin e çfarëdo dëmi potencial që mund të rrezikojë Ndërmarrjen.

Bordi e kishte marrë vendimin me 15 tetor (e premte), por që nuk kishte arritur që të protokolonte, për arsye se personat përgjegjës për protokolim nuk kishin qenë prezent në zyrat e Ndërmarrjes. Protokollimi ishte shtyrë për ditën e hënë me 18.10.2021, por që nuk ishte jetësuar asnjëherë.

Kjo për shkak se, sipas Bordit të Drejtorëve në atë kohë, kryeshefi dhe vartësja e tij kishin mbajtur vulën e protokolimit në mënyrë të paligjshme.

Më pas, përderisa Bordi i Drejtorëve nuk po arrinte të protokolonte vendimin për shkarkimin e kryeshefit, një zhvillim i paprecedentë kishte ndodhur. Dy nga tre aksionarët e Ndërmarrjes, Dren Kukaj dhe Genc Sherifi të PSD-së, parti që udhëhiqte me Prishtinën në atë kohë, në orën 08:00 të mëngjesit të datës 18 tetor 2021 kishin marrë vendim për shkarkimin e dy nga katër anëtarët e Bordit të Drejtorëve, duke iu pamundësuar këtyre të fundit shkarkimin e kryeshefit dhe duke ia mundësuar këtij të fundit, vazhdimin e projektit – për të cilin edhe Bordi i Drejtorëve kishte filluar të ketë dyshime.

Aktakuza e dështuar e Prokurorisë Speciale

Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë për korrupsion në qershor të vitit 2024 kundër tetë ish zyrtarëve të lartë të NPB-së, përkatësisht kundër ish aksionarëve të Ndërmarrjes – Dren Kukaj, Genc Sherifi dhe Vesel Makolli; ish Bordit të Drejtorëve Lendita Myderrizi, Bekim Pireva, Arbnora Jashanica, Xhevdet Leci; si dhe ish kryeshefit ekzekutiv Hajdar Hoxhaj.

Me 22.04.2025 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte hedhur poshtë aktakuzën për mungesë të provave, ndërsa Gjykata e Apelit me 02.07.2025 po ashtu ka hedhur poshtë aktakuzën, me të njëjtën arsye.

Ish-anëtarët e Bordit të Drejtorëve, Muderrizi, Pireva, Jashanica dhe Leci dyshoheshin akuzoheshin se me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për personat e tretë e në dëm të pronës publike, sipas Prokurorisë, kishin tejkaluar kompetencat e tyre dhe nuk i kishin përmbushur detyrat e tyre zyrtare, në atë mënyrë që, me datë 21.11.2020 kanë marrë vendim për miratimin e “Rregullores për Rritjen e Pasurisë së Paluajtshme të NPB-së përmes Ndërtimit”, duke qenë në dijeni, sipas Prokurorisë, se kjo rregullore nuk ka bazë ligjore.

“Realizimin e këtij projekti e kanë mundësuar po ashtu duke u pajtuar shprehimisht në takimin e datës 22.04.2021, që draft-marrëveshja kryesore për bashkë-investim, pra kontrata, ta referojnë te Bordi i Aksionarëve për aprovim, në bazë të së cilës kontratë në mënyrë të kundërligjshme kanë mundësuar që prona publike e destinuar për interes publik, të tjetërsohet në pronësi private” – thuhej në aktakuzën e dështuar të Prokurorisë Speciale.

Ndërsa ish-kryeshefi Hajdar Hoxhaj, dyshohej se kishte lidhur kontratën për të cilën e kishte ditur se është e dëmshme për ndërmarrjen, “i ka shkaktuar dëm NPB-së dhe Komunës së Prishtinës si aksionare 100% të kësaj ndërmarrje, përmes tjetërsimit të paluajtshmërisë e cila pasuri në bazë të ligjit mund të përdoret vetëm për interes publik”.

“… me 17.05.2021 në cilësinë e kryeshefit ka nënshkruar kontratën/marrëveshjen kryesore për bashkë-investim me kompanitë private, të cilën e ka noterizuar te Noteri, edhe pse ka qenë në dijeni se kontrata në fjalë ishte e dëmshme për NPB-në, duke qenë se përmes kësaj kontrate mundësohej që prona t’i jepen bashkë-investitorit të përzgjedhur të kompanive private në tërësi në shfrytëzim të përhershëm” – thuhej në aktakuzë.

Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale, po ashtu thuhej se Dren Kukaj, Genc Sherifi dhe Vesel Makolli në cilësinë e anëtarëve të Bordit të Aksionarëve të NPB-së, “me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për personat e tretë, në dëm të pronës publike, kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe nuk kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, në atë mënyrë që fillimisht me datë 15.01.2021 në kundërshtim me Ligjin për Shoqëritë Tregtare, kanë ndryshuar Statutin e NPB-së, me qëllim që të njëjtin t’ia përshtatin procesit lidhur me Projektin për ndërtim në lagjen Lakrishte”.

“Në Statutin e ri të NPB-së, ndryshojnë nenin 7 që parasheh fushë-veprimtarinë e NPB-së, duke vënë si aktivitet primar ndërtimin e objekteve banesore dhe jo-banesore” – thuhej ndër të tjera në aktakuzë.

Avokati i NPB-së, Faton Fetahu, ka konfirmuar për KALLXO.com se është apeluar në shkallën e dytë aktgjykimi i Gjykatës Komerciale.

Lexo më shumë

Të tjera