Pas raportimeve për rënie të njësive B1 dhe B2, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka njoftuar se ka filluar zbatimi i remontit të rregullt vjetor 30-ditor, në përputhje me Bilancin Vjetor Energjetik.
“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton opinionin publik se, në përputhje me Bilancin Vjetor Energjetik (BVE), ka filluar zbatimi i remontit të rregullt vjetor 30-ditor äüüüü pp njësisë B2 në Termocentralin Kosova B”, thuhet në njoftim.
Sipas KEK-ut, ky proces është pjesë e planifikimit operativ të rregullt dhe ka për qëllim mirëmbajtjen teknike të pajisjeve, rritjen e sigurisë në operim dhe sigurimin e funksionimit të qëndrueshëm të njësisë.
Ndërkohë, njësia B1 e të njëjtit termocentral është duke iu nënshtruar projekteve të mëdha të modernizimit, përfshirë instalimin e elektrofiltrave dhe sistemit DeNOx.
Sipas njoftimit, punimet kanë nisur në muajin prill dhe pritet të përfundojnë në fillim të muajit dhjetor.
KEK-u thekson se pas përfundimit të këtyre investimeve, do të rritet ndjeshëm siguria e operimit, do të zgjatet jetëgjatësia e njësisë për rreth 20 vite dhe do të sigurohet funksionimi i saj në përputhje me standardet mjedisore të Bashkimit Evropian. /Kujdestari.info/