Inspektorati Qendror i Punës po vazhdon inspektimet në sektorët me rrezikshmëri të lartë në territorin e Kosovës.
Në 48-orëshin e fundit Inspektorati ka realizuar aksione vetëm në sektorin e ndërtimtarisë.
Sipas raportit, nga gjithsej 32 inspektime, në 14 vendpunishte janë ndaluar punimet dhe katër janë proceduar në Polici. Po ashtu, në 21 vende janë shqiptuar vërejtje.
“Në përfundim të Aksionit të gjitha subjektet që kanë rezultuar me ndalim të punimeve me automatizëm procesohen në Gjykatat për kundërvajtje përkitazi me shkeljet e konstatuara”, thuhet nga Inspektorati.
Inspektorati ka sqaruar se për katër rastet që i ka proceduar në Polici, ishin raste kur punëkryerësit/investitorët kanë vazhduar punimet në kantier në kundërshtim me vendimin e inspektorëve për ndalim dhe dëmtim të shiritit ndalues.
Ministri për Punë, Andin Hoti, më 13 prill mori vendim për aksion të jashtëzakonshëm të inspektimeve në vendpunishte.
Vetëm këtë vit kanë humbur jetën 10 punëtorë.