E mërkurë, 18 Shkurt, 2026

Hithra, ‘ari i gjelbër’ i Kosovës – një hektar sjell mbi 11 mijë euro fitim

Ndaj

Në Kosovë, hithrat nuk kanë pasur nevojë as për plug, as për farë të importuar. Ato dalin vetë, pa ftesë, në qoshe të arave të braktisura, pranë gardheve të shtëpive të lëna dhe në çdo skaj ku bujqësia ka hequr dorë. Por Ministria e Bujqësisë i ka përfshirë hithrat në Katalogun Ekonomik për Prodhime Bujqësore 2024, duke u premtuar fermerëve fitime të majme dhe madje edhe subvencione, shkruan Kujdestari.info.

Ministria e Bujqësisë ka publikuar Katalogun Ekonomik për Prodhime Bujqësore 2024, ku hithra paraqitet si një nga kulturat më fitimprurëse për fermerët kosovarë. Të dhënat zyrtare tregojnë se nga një hektar i mbjellë me hithra, një prodhues mund të fitojë mbi 11 mijë euro neto, shifër që tejkalon disa herë fitimet nga kultura tradicionale si gruri apo misri.

Sipas kalkulimeve të Ministrisë, prodhimi nga një hektar arrin deri në 6 mijë kilogramë hithra, të cilat në treg shiten me çmimin 3 euro për kilogram. Kjo i sjell fermerit një të ardhur bruto prej 18 mijë eurosh.

Në anën tjetër, shpenzimet e përgjithshme – duke përfshirë plehun organik, ujitjen, energjinë elektrike për tharje, fuqinë punëtore, transportin, paketimin dhe certifikimin organik – llogariten në 5,463 euro për hektar. Pas këtyre zbritjeve, fitimi neto i fermerit mbetet 11,430 euro.

Nëse përfshihen edhe subvencionet shtetërore prej 754 eurosh për hektar, atëherë të ardhurat neto arrijnë në rreth 12,184 euro.

Krahasuar me grurin, që në rastin më të mirë sjell disa qindra euro fitim për hektar, hithra po shihet si një alternativë shumë më e leverdishme. Ministria e Bujqësisë vlerëson se rritja e kërkesës ndërkombëtare për bimë mjekësore e aromatike i jep Kosovës një mundësi reale për eksport dhe diversifikim të bujqësisë. Publikimi i këtyre të dhënave në katalogun zyrtar vjen si një sinjal për fermerët që kërkojnë alternativa të reja për të rritur fitimet. Nëse planet e Ministrisë për nxitjen e kultivimit të bimëve mjekësore realizohen, hithra mund të shndërrohet në një ndër kulturat më strategjike dhe fitimprurëse të bujqësisë kosovare. /Kujdestari.info

Lexo më shumë

Të tjera