E mërkurë, 6 Maj, 2026

Dallaveret me prona, arrestohen dhe ndalohen për 48 orë pesë persona

Ndaj

Pesë persona janë arrestuar të mërkurën në një aksion të zhvilluar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policia e Kosovës, nën dyshimin për përfshirje në disa vepra penale që lidhen me falsifikim dokumentesh dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas njoftimit zyrtar, aksioni është realizuar në orët e hershme të mëngjesit në Agjencinë Kadastrale të Kosovës si dhe në disa lokacione të tjera. Me urdhër të prokurorit, janë ndaluar për 48 orë pesë persona me inicialet: A.B., N.K., A.Q., B.SH. dhe M.B.

Të dyshuarit ngarkohen për veprat penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Falsifikimi i dokumentit” sipas nenit 390, si dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” sipas nenit 395 të KPRK-së.

Njoftimi i plotë:

Arrestohen pesë persona për falsifikim dokumentesh, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe legalizimi i përmbajtjes së rreme

Prishtinë, 06 maj 2026- Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda- Njësiti për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, njofton opinionin publik, se sot në orët e hershme të mëngjesit ka ndërmarrë një aksion në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, dhe në disa lokacione te tjera, ku janë ndaluar për 48 orë pesë (5) persona me inicialet A.B., N.K., A.Q., B.SH., dhe M.B.

Të dyshuarit, dyshohen se në bashkëkryerje, kanë kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i Detyrës apo Autoritetit Zyrtar’’, nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, veprën penale ‘’Falsifikimi i Dokumentit’’ nga neni 390 të KPRK-së, si dhe veprën penale ‘’Legalizimi i përmbajtjes së rreme’’ sipas nenit 395 të KPRK-së.

Sipas Prokurorisë, dy nga të dyshuarit kanë përdorur një kontratë të falsifikuar të vitit 1966 për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme pronë. Një zyrtar i Gjykatës Themelore në Prishtinë dyshohet se ka krijuar dokumente fiktive për të mundësuar legalizimin e saj, ndërsa dy zyrtarë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës dyshohen se kanë tejkaluar kompetencat duke aprovuar regjistrimin e pronës në mënyrë të paligjshme.

Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do të shqyrtojë mundësinë për caktimin e masës së sigurisë në procedurë penale ndaj të pandehurve.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.

Lexo më shumë

Të tjera