Sindikata e Re e Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeveria e Kosovës për ndarjen e pagës së 13-të për sektorin publik, duke ngritur shqetësimin se punëtorët e këtij institucioni janë përjashtuar nga kjo masë.
Përmes një reagimi publik, kryetari i sindikatës, Xhelal Jashari, ka theksuar se ky përjashtim është i padrejtë dhe cenon dinjitetin e punëtorëve që, sipas tij, mbajnë funksionale energjinë në vend.
“Edhe ne jemi Kosovë”, thuhet në reagim, duke theksuar se punëtorët e KEK-ut çdo ditë përballen me kushte të rënda pune, rrezik dhe sakrifica për të siguruar furnizimin me energji elektrike për qytetarët.
Sindikalistët rikujtojnë se punëtorët e KEK-ut janë ndër kontribuuesit kryesorë në buxhetin e shtetit, duke gjeneruar miliona euro çdo vit, dhe se përjashtimi i tyre nga paga e 13-të nuk është vetëm çështje financiare, por edhe çështje dinjiteti dhe respekti.
“Ne kemi familje, kemi fëmijë në shkolla, kemi prindër të sëmurë dhe sfida si çdo qytetar tjetër. Megjithatë, nuk ndalemi kurrë”, thuhet më tej në reagim.
Sindikata ka kërkuar që paga e 13-të të përfshijë edhe punëtorët e KEK-ut pa dallim, duke i bërë thirrje kryeministrit që të mos i ndajë punëtorët, por t’i trajtojë me barazi.
Po ashtu, është paralajmëruar se më 2 prill 2026, në ora 12:00, para Qeveria e Kosovës, do të mbahet një konferencë për media, ku sindikata do të paraqesë qëndrimet e saj lidhur me këtë çështje dhe do të kërkojë mbështetje publike. /Kujdestari.info/