E mërkurë, 18 Shkurt, 2026

Rriten çmimet e produkteve bazike, Autoriteti i Konkurrencës vë nën monitorim 25 artikuj ushqimorë

Ndaj

Rreth 25 produkte ushqimore bazike janë vënë nën monitorim nga Autoriteti i Konkurrencës në Kosovë, pas vërejtjeve për rritje të ndjeshme të çmimeve në tregun kosovar. Ndërkohë, qytetarët vazhdojnë të ankohen se kostoja e jetesës është bërë e papërballueshme, ndërsa ekspertët e ekonomisë paralajmërojnë se rritjet e çmimeve mund të vazhdojnë edhe në muajt në vijim.

Në tregjet e Kosovës, çmimi i një litri qumësht aktualisht varion nga 1.20 deri në 1.70 euro, ndërsa shporta bazike e konsumatorit — që përfshin 1 kilogram miell, 1 litër qumësht, 1 litër vaj dhe 1 kilogram sheqer — kushton tashmë mbi 5 euro.

Prodhuesit vendas e arsyetojnë këtë rritje me shtrenjtimin e energjisë elektrike, që sipas tyre ka ndikuar drejtpërdrejt në kostot e prodhimit.

“Rritja e çmimit të rrymës ka ndikuar dukshëm në sektorin tonë. Kjo na ka detyruar të ngrisim edhe ne çmimet e produkteve”, tha Gani Durmishi, pronar i një qumështoreje vendore.

Nga ana tjetër, Autoriteti i Konkurrencës ka konfirmuar se po zhvillon një analizë të thelluar të tregut për të identifikuar shkaqet e rritjeve dhe për të parandaluar praktikat e mundshme monopolistike.

“Jemi duke monitoruar rreth 25 produkte bazike si qumështi, djathi dhe vezët. Analiza është në vazhdim, ndërsa po bëjmë edhe avokim me bizneset për t’i informuar mbi veprimet që shkelin ligjin për mbrojtjen e konkurrencës”, deklaroi Adrian Mustafa, inspektor hetues në Autoritetin e Konkurrencës.

Megjithëse analiza pritet të zgjasë, Ministria e Industrisë dhe Tregtisë nuk ka dhënë ende ndonjë përgjigje nëse ka ndërmarrë masa shtesë për monitorimin e tregut.

Sipas ekonomistit Lulzim Beqiri, rritja e vazhdueshme e çmimeve po ndikon drejtpërdrejt në fuqinë blerëse të qytetarëve, ndërsa rritja e pagave shihet si mënyra e vetme për të përballuar situatën.

“Shumica e qytetarëve janë në kufijtë e mbijetesës me pagat aktuale, që mesatarisht arrijnë rreth 500 euro. Rritja e pagave dhe punësimi janë thelbësorë për ta ruajtur qëndrueshmërinë ekonomike,” u shpreh ai për RTK.

Sipas të dhënave zyrtare, çmimet e konsumit në shtator 2025 ishin 4.7% më të larta se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, duke dëshmuar se presioni inflacionar në vend vazhdon të jetë i pranishëm.

Lexo më shumë

Të tjera