Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti paralajmëroi se projektligjin për çmimet tavan do ta risjellë për votim në Kuvendin e Kosovës, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve “nga abuzimi me çmimet e larta”.
Duke folur për krizën globale dhe ndikimin e saj në rritjen e çmimeve, Kurti nënvizoi se disa tregtarë dhe biznese të mëdha kanë keqpërdorur situatën për të rritur artificialisht çmimet, ndërsa qeveria ka ndihmuar secilën kategori shoqërore.
Kryeministri bëri thirrje që edhe opozita të mbështesë projektligjin, duke theksuar nevojën për një reagim të shpejtë ndaj sfidave ekonomike dhe krizave globale.
Përfaqësues të bizneseve dhe organizatave ekonomike në Kosovë kanë reaguar lidhur me këtë paralajmërim të Kurtit, duke thënë se zgjidhja për çmimet e larta nuk mund të jetë kontrolli artificial, por politika që stimulojnë konkurrencën, uljen e kostove operative, prodhimin vendor dhe stabilitetin ekonomik.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini në një prononcim për “Front Online” është deklaruar ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti për rikthimin në votim projektligjin për vendosjen e çmimeve tavan, i cili synon mbrojtjen e qytetarëve nga rritja e çmimeve.
Shahini tha se vendosja e çmimeve tavan nuk mund të bëhet përmes vendimeve qeveritare pa ekzistuar një rregullator i pavarur.
Sipas tij, ndërhyrje të tilla janë të justifikueshme vetëm në rrethana të jashtëzakonshme.
“Çmimet tavan nuk mund të caktohen nga vendimet qeveritare pa e pasur një rregullator të pavarur në raste të jashtëzakonshme qeveria e ka të drejtë që për disa produkte esenciale të merr vendime të tilla, përderisa është gjendja normale dhe nuk është e jashtëzakonshme është anti Kushtetuese dhe cenon ekonominë e tregut e konkurrencës”, ka thënë ai.
Shahini thotë se çmimet janë në rritje dhe inflacioni mbetet dominant.
Ai shtoi se ekonomia e Kosovës mbetet e ndjeshme ndaj zhvillimeve globale.
“Konkurrenca ekonomia e lirë është e garantuar në Kosovë dhe nuk duhet të bie ndeshë me Kushtetutën nëse një propozim i tillë vjen në Kuvend për votim. inflacioni është rreth 6% rritja ekonomike 3.5% krejt kjo tregon që në Kosovë çmimet janë në lëvizje inflacioni në epërsi varfëria mund të shtohet, aktivitet ekonomike mund të kufizohen për shkak të tregjeve globale se Kosova varet nga importet”, deklaroi Shahini.