E premte, 1 Maj, 2026

Qeveria paralajmëron pako 200 milionëshe për rimëkëmbje, vijnë reagimet: Nuk na duhen ndihma, por paga më të larta

Ndaj

Gjatë fushatës elektorale, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti premtoi se me marrjen e mandatit të radhës do të miratojë vendimin për pagën e 13-të për të gjithë shërbyesit publikë, një masë që synon të përmirësojë mirëqenien e punonjësve të shtetit.

Në të njëjtin kontekst, Kurti prezantoi edhe paketën “Përballje me Inflacionin 2.0”, e cila ka një vlerë prej 200 milionë eurosh dhe synon të ofrojë mbështetje të menjëhershme për pensionistët, fëmijët që marrin shtesa, studentët dhe punëtorët e sektorit privat.

Kjo paketë përbën një nga masat kryesore të qeverisë për t’u përballur me rritjen e çmimeve dhe për të ofruar ndihmë të drejtpërdrejtë për kategoritë më të prekura nga inflacioni.

Të premten, gjatë seancës plenare Ministri i Financave, Hekuran Murati ka deklaruar se shumë shpejt në Kuvend do të jetë për votim pakoja e rimëkëmbjes ekonomike prej 200 milionë eurove.

Se a do të ishte e mirëpritur një ndihmë e tillë për punëtorët e sektorit privat dhe pensionistët mbetet e diskutueshme.

Ata shprehen skeptikë për paketën e njëhershme, duke theksuar se një shpërblim i përkohshëm nuk mund të zgjidhë problemet e tyre ekonomike.

Sipas tyre, pa një rritje reale të pagave dhe përmirësim të të ardhurave, situata e rëndë ekonomike do të vazhdojë edhe pasi të shpenzohet kjo ndihmë.

Kreu i Sindikatës së Punëtorëve Privat, Jusuf Azemi ka folur për “Front Online” lidhur me premtimin e pakos së ndihmës së qeverisë për punëtorët, duke e cilësuar të papërshtatshme shpërndarjen e saj dhe duke kërkuar trajtim të barabartë për punonjësit e sektorit privat.

Sipas Azemit, sindikata nuk heq dorë nga kërkesa për pagën e 13-të, duke thënë se punëtorët privat ndihen të diskriminuar.

“Çfarëdo ndihme qe e shpërndajnë nuk kemi për ta nënçmuar se është si stimulim por ne nuk heqim dorë për pagën e 13 se konsiderojmë që jemi të diskriminuar. Qeveria e Ministria është dashur të komunikojnë me ne se nëse ata duan forma se si të ndihmojnë punëtorin ne jemi ata qe e njohim situatën dhe rëndësinë e tyre”, tha Azemi.

Ai gjithashtu tha se nga këto kushte që janë mund edhe të ndalet puna nëse nuk ndryshon qasja.

“Ne ndihemi të anashkaluar që disa punëtorë paguhen direkt nga buxheti dhe gjitha spitalet e universitet që ka punëtorë të publiko privatit mund të vijnë në një ditë që të ndërpresin punën, se jemi mbushësit e buxhetit dhe jemi të diskriminuar”, u shpreh ai.

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka deklaruar ditë më parë se përgjegjës për pagën e 13 për punëtorët në sektorin privat janë punëdhënësit e tyre.

Lidhur me këtë ka reaguar, kreu i Sindikatës së Punëtorëve Privat, Jusuf Azemi, i cili ka thënë se kjo deklaratë e Muratit është një “gabim i madh”.

Azemi shprehet se është e padrejtë që deputetët me pagë të majme të marrin dy e punëtorët që ende e kanë pagën rreth 300 euro të mos e marrin pagën e 13.

“Është një gabim që thënia e Muratit nuk qëndron se buxheti është i të gjithëve. Është vendim pa krip. E kanë kuptuar që është gabim i madh dhe këta punëtorë që janë jashtë në këto temperatura të ftohta dhe po jep kontribut për këtë buxhet e shtet nuk paguhen e paguhen ata deputet që veç shkojnë e kthehen nga kuvendi dhe kanë marr dy paga që i kanë jashtëzakonisht të madhe ky është turp i madh e ne kemi punëtorë që paguhen 292 euro”, deklaroi Azemi për “Front Online”.

Lexo më shumë

Të tjera