E enjte, 19 Shkurt, 2026

Përmbaruesit “gëlltitin” buxhetin e Komunës së Prishtinës, u paguan mbi 5 milionë euro në korrik

Ndaj

Komuna e Prishtinës po përdor mjete të mëdha financiare për të mbuluar vendimet e dëmshme të gjykatave. Gjatë muajit korrik, kjo komunë ka shpenzuar miliona euro për përmbaruesit privatë dhe për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.

Komuna e Prishtinës ndodhet në një alarm të vërtetë financiar. Përmbaruesit privatë po i përpinë buxhetit të qytetit miliona euro. Kjo për shkak të vendimeve të dëmshme që janë marrë në të kaluarën, por edhe si pasojë e vendimeve të reja që po merren nga administrata komunale.

Demokracia.com ka siguruar raportin e shpenzimeve buxhetore për muajin korrik 2025, ku shihet qartë se shuma e shpenzimeve në emër të pagesave gjyqësore është tejet e lartë.

Vetëm gjatë korrikut, nga buxheti i Komunës së Prishtinës janë paguar:

  • Nga Drejtoria e Administratës: 1,344,453.87 € për vendime gjyqësore

  • Nga Infrastruktura Publike: 1,596,688.04 €

  • Nga Drejtoria e Parqeve: 118,399.09 €

  • Nga Drejtoria e Emergjencave: 288,677.46 €

  • Nga Drejtoria e Shëndetësisë: 809,011.14 €

  • Një tjetër pagesë për vendime gjyqësore: 3,149.84 €

  • Po ashtu nga Administrata: 561,178.46 €

  • Nga Arsimi: 376,429.24 €

Në total, vetëm për vendime gjyqësore dhe pagesa të lidhura me përmbarues, shuma arrin në afro 5.1 milionë euro për një muaj.

Ndërkohë, Komuna e Prishtinës në korrik ka realizuar investime kapitale në vlerë prej vetëm 2,258,655.46 €.
Pra, pagesat për vendime gjyqësore kanë qenë për gati 3 milionë euro më të larta sesa vlera e investimeve kapitale në kryeqytet.

Po ashtu, nga rreth 20 kategori të të hyrave vetanake që ka komuna, si tatimi në pronë, lejet e ndërtimit, legalizimi, lejet mjedisore komunale, licencat për biznese, etj,  gjatë korrikut janë inkasuar vetëm 3,188,429.45 €, pra rreth 2 milionë euro më pak sesa shuma që përmbaruesit ia kanë marrë komunës.

Lexo më shumë

Të tjera