E mërkurë, 18 Shkurt, 2026

Nga 20 deri në 70 euro: Skema e re e subvencioneve për prindërit e fëmijëve në çerdhe në Komunën e Prishtinës

Ndaj

Komuna e Prishtinës ka marrë vendim të ri për subvencionimin e prindërve që kanë fëmijët e tyre të regjistruar në çerdhet me bazë në komunitet. Vendimi, i nënshkruar nga kryetari i Kryeqytetit, parasheh mbështetje financiare të diferencuar sipas të ardhurave mujore të familjes, si dhe për kategori të veçanta sociale, shkruan Kujdestari.info.

Sipas vendimit, prindërit ose kujdestarët ligjorë do të subvencionohen në këtë formë:

  • Me 50 euro për ata me të ardhura mujore neto deri në 700 euro;

  • Me 30 euro për ata me të ardhura deri në 900 euro;

  • Me 20 euro për ata me të ardhura deri në 1,100 euro.

Ndërsa, prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta, fëmijët bonjak, familjet me asistencë sociale, veteranët e luftës dhe nënat vetushqyese do të përfitojnë nga një subvencion prej 70 eurosh.

Nga skema përjashtohen prindërit apo kujdestarët ligjorë që kanë të regjistruar biznese funksionale. Për të përfituar nga subvencionet, aplikuesit duhet të dorëzojnë vërtetime nga Trusti, ARBK dhe Enti për Punësim, ndërsa për kategoritë e veçanta kërkohet dokumentacion shtesë përkatës.

Vendimi përcakton gjithashtu se çdo aplikim do të shqyrtohet nga një përfaqësues i Komunës së Prishtinës dhe dy përfaqësues të çerdhes ku janë të regjistruar fëmijët. Drejtoria e Arsimit dhe Drejtoria e Financave janë ngarkuar me zbatimin e këtij vendimi.

Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shfuqizohet ai i datës 23 nëntor 2018. Vendimi hyn në fuqi menjëherë pas nënshkrimit nga kryetari i Kryeqytetit. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera