Përveç pagës së 13-të për të punësuarit në sektorin publik që marrin pagë nga buxheti, dje janë ekzekutuar edhe pagat e rregullta me shtesën e rritur të përvojës së punës, ka bërë të ditur ministri i Financave, Hekuran Murati.
Ai theksoi se shtesa e rritur është paguar edhe për dy muajt e shkuar, janar dhe shkurt.
Sa i përket rasteve të grave në pushim të lehonisë që mund të mos jenë përfshirë dje në pagën e 13-të, Murati u bëri thirrje që ato t’u drejtohen menaxhmentit në institucionin ku punojnë.
Statusi i Plotë i Muratit:
Përveç pagës së 13-të për të punësuarit në sektorin publik që marrin pagë nga buxheti, dje pagat e rregullta janë ekzekutuar edhe me shtesën e rritur të përvojës së punës.
Shtesa është rritur nga 0.25% në 0.50% për 15 vitet e para të përvojës, gjë që nënkupton rritje efektive të pagës për të gjithë të punësuarit.
Vlen të theksohet që shtesa e rritur e përvojës së punës është paguar edhe për dy muajt e shkuar, janar dhe shkurt.
Kurse sa u përket rasteve të grave në pushim të lehonisë që mund të mos jenë procesuar dje për pagën e 13-të, të punësuarat duhet t’u drejtohen menaxhmentit në institucionin ku punojnë.
Listat e pagave përgatiten nga secili institucion përkatës, dhe ato janë përgjegjës për lëshimet eventuale, të cilat mund të korrigjohen në muajin vijues.