Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se ka themeluar një komision të posaçëm për verifikimin e njehsorëve elektrikë, në funksion të rritjes së transparencës dhe mbrojtjes së konsumatorëve.
Sipas njoftimit zyrtar, ky vendim vjen pas zhvillimeve të fundit dhe pretendimeve për keqllogaritje të konsumit të energjisë elektrike. Komisioni është themeluar më 31 mars 2026, në kuadër të Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Megjithëse MINTI bën të ditur se deri tani nuk është pranuar asnjë ankesë zyrtare nga qytetarët për parregullsi në njehsorë, institucioni ka vendosur të ndërmarrë hapa proaktivë. Duke filluar nga 1 prilli 2026, komisioni do të dalë në terren për të verifikuar çdo njehsor për të cilin paraqitet ankesë nga konsumatorët.
Ministria u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që, në rast dyshimesh për funksionim jo të rregullt të njehsorëve në shtëpitë e tyre, të kontaktojnë Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit përmes numrit pa pagesë 0800 11000 ose përmes emailit zyrtar.
Në të njëjtën kohë, MINTI ka bërë të ditur se është publikuar edhe një model ilustrues që ndihmon qytetarët të kuptojnë se si mund të verifikojnë njehsorët e energjisë elektrike në ndërtesat e tyre.
Autoritetet theksojnë se mbeten të përkushtuara për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe garantimin e një tregu të drejtë dhe transparent në sektorin e energjisë.