E enjte, 19 Shkurt, 2026

KEK nis punimet për centralin fotovoltaik “Solar4Kosovo I” në Obiliq

Ndaj

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se ka filluar punimet ndërtimore për projektin Solar4Kosovo I – Centrali Fotovoltaik, një ndër projektet më të mëdha solare në vend, që financohet nga Bashkimi Evropian përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), Qeveria Gjermane përmes KfW-së, Banka Evropiane për Investime (BEI) dhe vetë KEK-u, raporton Kujdestari.info.

Ky projekt shihet si një hap i rëndësishëm në tranzicionin energjetik të Kosovës, duke synuar të rrisë prodhimin e energjisë nga burime të qëndrueshme dhe të ripërtëritshme. Punimet ndërtimore do të zhvillohen pranë Termocentralit “Kosova A”, në zonën e komunave Obiliq dhe Fushë Kosovë, që përfshin kryesisht fshatin Kryshevc (Dardhishtë) dhe lagjen Mërlak.

KEK ka bërë të ditur se deri më tani nuk ka ndërmarrë masa ndaj përdorimit të paautorizuar të tokës në këtë zonë, pasi nuk ka ekzistuar një plan zhvillimor konkret. Mirëpo, me nisjen e projektit solar, kompania ka njoftuar se sezoni bujqësor i vitit 2025 do të jetë i fundit për zhvillimin e aktiviteteve bujqësore në këto toka. Pas kësaj periudhe, përdorimi i tokës nga persona të paautorizuar nuk do të lejohet më.

“Kjo tokë është pronë e KEK-ut dhe do të përdoret për ndërtimin e centralit fotovoltaik. Për këtë arsye, të gjithë përdoruesit e paautorizuar të tokës duhet të ndërpresin aktivitetet pas sezonit të fundit bujqësor”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

KEK ka paralajmëruar se zona e projektit do të rrethohet me gardh sigurie dhe do të vendosen tabela paralajmëruese, ndërsa ka ftuar banorët që për çdo sqarim ose informacion shtesë të kontaktojnë përfaqësuesit e saj.

Korporata ka theksuar se mbetet e përkushtuar për të ruajtur bashkëpunimin me komunitetin lokal dhe për të respektuar politikat e përgjegjësisë shoqërore, duke vlerësuar mirëkuptimin e banorëve gjatë zbatimit të këtij projekti, që pritet të kontribuojë ndjeshëm në një të ardhme më të gjelbër për Kosovën. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera