E hënë, 4 Maj, 2026

Hapet aplikimi në E-Kosova për subvencionimin e energjisë për familjet e cënueshme

Ndaj

Ministria e Financave ka njoftuar se është hapur aplikimi në Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike 2025 – 2026, ku qytetarët mund të aplikojnë për subvencionim të energjisë përmes platformës eKosova.

Sipas njoftimit, familjet që kanë aplikuar vitin e kaluar nuk kanë nevojë të riaplikojnë, pasi të dhënat e tyre janë bartur automatikisht për vitin 2025.

“Megjithatë, nëse keni ndryshuar ndonjë informacion, si numri i anëtarëve të familjes, vendbanimi apo njehsori elektrik, ato mund t’i përditësoni lehtësisht në të njëjtin formular, duke bërë ndryshimet dhe më pas duke klikuar “Apliko”, thuhet në sqarimet që ka bërë ky dikaster.

Sipas Ministrisë së Financave, ky program synon të mbështesë familjet më të cenueshme gjatë stinës së dimrit për të lehtësuar përballjen me shpenzimet e energjisë elektrike.

Gjithashtu, Ministria e Financave ka bërë të ditura edhe kriteret për qytetarët që duan të jenë përfitues të këtij programi. Kriteret kryesore të përfitimit janë shtetas të Republikës së Kosovës, me të ardhura deri në 150 euro për anëtar, dhe pasuri të paluajtshme deri në 100,000 euro.

Subvencioni realizohet sipas formulës së përllogaritjes, e cila është e bazuar në të ardhurat mesatare të familjes dhe lartësisë faturës së energjisë elektrike për muajin përkatës.

“Aplikimi mbetet i hapur për 6 muaj, por ftojmë të gjithë aplikuesit e rinj dhe ata të vitit të kaluar që kanë ndryshime në të dhënat e tyre që të aplikojnë në muajin tetor pasi pagesat në mënyrë retroaktive nuk do të realizohen”, thuhet në njoftimin që ka shpërndarë Ministria e Financave lidhur me hapjen e aplikimit për Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike 2025–2026.

Lexo më shumë

Të tjera