E shtunë, 18 Prill, 2026

Guvernatori Ismaili takon zëvendësdrejtorin e FMN-së, flasin për zhvillimin ekonomik dhe forcimin e sistemit financiar

Ndaj

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, zhvilloi një takim të rëndësishëm me Zëvendësdrejtorin Menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Bo Li, dhe ekipin e tij.

Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili paraqiti zhvillimet më të fundit në ekonominë e Kosovës, duke përfshirë ecurinë e sektorit financiar, stabilitetin financiar dhe progresin në reformat strukturore. Ai shprehu mirënjohjen ndaj lidershipit të FMN-së për mbështetjen e vazhdueshme të FMN-së në forcimin e kapaciteteve institucionale të BQK-së si dhe në zbatimin e mandatit.

Nga ana e tij, Li vlerësoi progresin e Kosovës në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe zbatimin e suksesshëm të programeve dhe rekomandimeve të misioneve të FMN-së, duke  përfshirë edhe shfrytëzimin e mjeteve nga programi i fundit. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet FMN-së dhe BQK-së për zhvillimin ekonomik dhe forcimin e sistemit financiar të vendit.

Në takim gjithashtu u diskutua lidhur me mundësitë për të adresuar rekomandimet nga përditësimi i Rishikimi i Stabilitetit të Sektorit Financiar (FSSR), me fokus tek mekanizmat e stabilitetit financiar përmes rishikimit funksional të kornizës operacionale.

Takimi ri-konfirmoi përkushtimin e ndërsjellë për thellimin e partneritetit institucional ndërmjet BQK-së dhe FMN-së, në funksion të përmbushjes së objektivave hvillimore dhe rritjes së qëndrueshme ekonomike të Kosovës.

Delegacioni i BQK-së do të vazhdojë takimet bilaterale me përfaqësues të lartë të FMN-së dhe Bankës Botërore gjatë qëndrimit në Washington D.C.

Lexo më shumë

Të tjera