Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (FKPK) ka njoftuar se deri më 24 dhjetor 2025 ka realizuar një kthim bruto nga investimet prej 312 milionë euro, duke e bërë vitin 2025 një nga më të suksesshmit në historinë e institucionit.
Sipas njoftimit, meqë për vitin 2024 kthimi bruto nga investimet ishte rreth 244 milionë euro, rezulton se vetëm në dy vjetët e fundit FKPK-ja ka akumuluar kthim bruto nga investimet prej rreth 556 milionë euro.
FKPK thekson se ky ishte “viti i 21-të, nga gjithsej 24 vjet të operimit të FKPK-së, që institucioni arrin kthim vjetor pozitiv nga investimet”, ndërsa “kthimi i akumuluar bruto, prej themelimit e deri në këtë datë të raportimit ka arritur në rreth 1.3 miliardë euro”.
“Arkëtimi i kontributeve të reja në 2025-shin, aktualisht në vlerë prej 354 milionë euro, pasqyron një ngritje solide, si në vlerë nominale (prej +36 milionë euro) ashtu edhe në përqindje, prej 12%, nga viti paraprak”, thuhet në njoftim.
Sa i përket Portofolit Standard, FKPK bën të ditur se “performanca e investimeve për vitin 2025 është +9.14%”, duke theksuar se ky portofol “ka arritur ta tejkalojë dukshëm inflacionin në vend”.
Në njoftim thuhet se kjo performancë i atribuohet si vlerësimit pozitiv të indekseve kryesore të tregjeve financiare, por po ashtu edhe alokimeve taktike të FKPK-së, veçanërisht përqendrimit në sektorin e teknologjisë së informacionit.
