Pas gati shtatë muajsh prej zgjedhjeve parlamentare, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur kryeparlamentarin e ri. Dimal Basha i Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë 73 vota pro për të marrë postin e kryetarit të Kuvendit. Për këtë post, Basha mori vota edhe nga Partia Demokratike e Kosovës.
Kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit, Dimal Basha, ka thënë se ndjen përgjegjësinë e madhe që i është besuar.
Ai ka thënë se Republika e Kosovës është e ndërtuar mbi sakrifica.
Basha ka falënderuar gratë e Kosovës për kontributin.
“Sot kjo republikë qëndron e pavarur edhe falë ndihmës së shteteve mike në krye me SHBA-në. Ka disa muaj që ky Kuvend është ballafaquar me një sfidë që nuk e ka parë më herët. Por mos harroni, që me gjithë betejat, besoj që ka qenë shkollë që i ka shërbyer demokracisë dhe emancipimit të shoqërisë”, ka thënë ai.
Ai ka bërë thirrje për bashkëpunim dhe unifikim.
“Shumica prej nesh dallojmë me parti por qytetarët presin që të jemi të bashkuar në objektivat tona, si zhvillimi ekonomik, forcimi i së drejtës e mbi të gjitha mbrojtja e integritetit territorial”, ka thënë ai.
Ai ka lavdëruar punën e bërë në veri të vendit, duke thënë se është minimizuar krimi në atë pjesë.
Sipas tij, mbrojtja e republikës është detyrë e të gjithëve.
Basha i ka bërë thirrje Serbisë që të sillet në mënyrë demokratike.
Ndërsa, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se fjalën që e kanë dhënë e kanë mbajtur sot. Sipas tij, nuk janë të lumtur që Dimal Basha është kryetar i Kuvendit. Ka deklaruar se madje as deputetët e Vetëvendosjes nuk janë të lumtur.
“I patë me fytyra të varura”, ka thënë ai për deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Krasniqi ka thënë se VV-ja u ka humbur kohë që të merren me tema që u interesojnë qytetarëve. Ka shtuar se LVV-ja u dorëzua para ligjit.