E premte, 17 Prill, 2026

Aktakuzë ndaj doganierit, lejoi hyrjen e mallrave pa kontroll në vlerë mbi 11 mijë euro

Ndaj

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit I.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 par.1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, më 16 korrik 2025, rreth orës 19:17, në Pikën Kufitare në Vërmicë, i pandehuri I.K., në cilësinë e personit zyrtar, si zyrtar i Doganës së Kosovës, ka tejkaluar kompetencat e tij duke shkelur procedurat standarde të operimit të Doganës së Kosovës. I njëjti, duke mos zbatuar detyrimet ligjore për kontroll të automjeteve, personave dhe mallrave, ka lejuar kalimin pa kontroll të një automjeti komercial të tipit “Mercedes Sprinter”,  të cilin e drejtonte A.K., të cilin e ka regjistruar në sistem si të zbrazët.

“Pas kalimit të pikës kufitare, automjeti është ndaluar nga njësia për antikontrabandë dhe gjatë kontrollit është konstatuar se ishte i ngarkuar me mallra komerciale në vlerë prej 11,457.60 euro. Pas kryerjes së ekspertizës financiare, ka rezultuar se i njëjti, buxhetit të Republikës së Kosovës i ka shkaktuar dëm material në shumë prej 3,414.36 euro”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, po ashtu përveç dënimit kryesor t’i shqiptohet dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbimin publik./Kujdestari.info

Lexo më shumë

Të tjera