Ndotja e ajrit nga prodhimi i energjisë në Ballkanin Perëndimor ka një kosto të lartë për shëndetin publik, sipas të dhënave të Institutit GAP, raporton Kujdestari.info.
Në Kosovë, numri i vdekjeve të parakohshme nga ndotja e ajrit është gati trefish më i lartë se mesatarja në Bashkimin Evropian.
Termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B” mbeten ndotësit kryesorë, një situatë e ngjashme që vërehet edhe në vendet e tjera të rajonit. Ekspertët theksojnë se zgjidhja qëndron në një zhvillim të qëndrueshëm, që merr parasysh mirëqenien ekonomike, mjedisore dhe shëndetësore të qytetarëve.
Në kuadër të projektit “Fuqizimi i Ballkanit Perëndimor përmes Politikave Industriale të Gjelbra”, i mbështetur nga Fondacionet e Shoqërisë së Hapur – Ballkani Perëndimor (@osf_western_balkans), Instituti GAP dhe partnerët rajonalë po organizojnë ngjarje në komunitet për të promovuar politikat industriale të gjelbra, si rrugë drejt një të ardhmeje më të pastër dhe më të shëndetshme.
Sot, Instituti GAP mbajti ngjarjen e parë me qytetarët e Vushtrrisë dhe Mitrovicës, ku u diskutua ndikimi i ndryshimeve klimatike në rajon, përfshirë edhe përmbytjet e shpeshta. Ngjarje të tjera do të organizohen së shpejti në Obiliq dhe qytete të tjera të Kosovës. /Kujdestari.info
