Administrata publike dhe kabinetet politike funksionojnë mbi një parim themelor, ndarjen e qartë të roleve dhe kompetencave. Derisa ministrat dhe zëvendësministrat janë bartës të mandatit politik, menaxhimi i përditshëm i administratës shtetërore u takon strukturave profesionale të shërbimit civil. Megjithatë, dokumente të brendshme të siguruara nga Kujdestari.info tregojnë një situatë dyshuese brenda Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).
Një komunikim i brendshëm në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), i siguruar nga Kujdestari.info, ngre dyshime lidhur me rolin e stafit politik në raport me administratën civile të ministrisë.
Në një email të datës 11 qershor 2026, të cilin e posedon redaksia, Sekretari i Përgjithshëm i MAPL-së, Jeton Qela, u drejtohet udhëheqësve të departamenteve duke njoftuar se kishte realizuar një vizitë në zyrat e ministrisë “bashkë me zëvendësministrin”, ku sipas emailit, ishte evidentuar mungesa e 25 zyrtarëve në vendin e punës.
“Sot me zëvendësin në ora 08:45, kam bërë një vizitë në zyrat e ministrisë, ku kemi evidentuar mungesën në vendin e punës të 25 zyrtarëve”, thuhet në email-in që posedon Kujdestari.info.
Në vazhdim të komunikimit, sekretari paralajmëron masa ndaj zyrtarëve që mungojnë pa arsye, duke iu referuar dispozitave të Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe përgjegjësive që burojnë nga orari i punës.


Megjithatë, ajo qe mund të nxit dyshime dhe shqetësime brenda institucionit, sipas burimeve që kanë kontaktuar Kujdestari.info është përfshirja e zëvendësministrit në evidentimin e vijueshmërisë së stafit civil, duke shkaktuar dilema nëse një funksionar politik mund të ushtrojë rol mbikëqyrës ndaj administratës civile.
Në anën tjetër, Ligji Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë bën dallim ndërmjet stafit politik dhe shërbimit civil, duke e ndarë qartë kabinetin politik nga administrata profesionale e shtetit, e cila duhet të funksionojë sipas hierarkisë administrative dhe parimeve të neutralitetit profesional.
Redaksia ka dërguar pyetje në adresë të MAPL-së për të sqaruar këtë situatë. Por, MAPL deri në publikimin e artikullit nuk ka kthyer përgjigje. /Kujdestari.info/
