Policia e Kosovës ka dështuar të bindë Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) se dy kompani kanë bashkërenduar ofertat e tyre në një tender për pastrimin e automjeteve policore. Për pasojë, vendimi për diskualifikimin e operatorëve ekonomikë është rrëzuar, ndërsa pretendimet e Policisë janë cilësuar si të pambështetura me prova konkrete, shkruan Kujdestari.info.
Rasti lidhet me tenderin për pastrimin e automjeteve në rajonet e Prishtinës, Prizrenit dhe Gjilanit, ku Policia kishte konstatuar se kompanitë “Ida Auto Group” dhe “Leicon” kishin paraqitur dokumente që sipas saj ngrinin dyshime për një marrëveshje të ndaluar.
Në vendimin e saj, Policia ishte mbështetur në disa elemente, si fakti që në ofertat e operatorëve ishte gjetur e njëjta policë sigurimi, se pronarët e kompanive kanë të njëjtin mbiemër dhe se në disa pozicione ishin evidentuar ngjashmëri në ofertim. (VIDEO)
Megjithatë, paneli i OSHP-së ka vlerësuar se këto rrethana nuk mjaftojnë për të dëshmuar ekzistimin e një marrëveshjeje të ndaluar.
“Paneli shqyrtues vlerëson se autoriteti kontraktues nuk ka ofruar prova të mjaftueshme që do të dëshmonin se operatorët ekonomikë kanë bashkërenduar veprimet e tyre në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës”, thuhet në arsyetimin e vendimit.
Sipas OSHP-së, vetë fakti që kompanitë kanë të njëjtin mbiemër nuk mund të konsiderohet dëshmi e bashkëpunimit të ndaluar.
“Paneli konsideron se mbiemri i njëjtë i pronarëve nuk përbën provë për ekzistimin e një marrëveshjeje të ndaluar apo koordinim të ofertave”, thuhet më tej në vendim.
Një nga elementet kryesore që ka rrëzuar argumentimin e Policisë është fakti se kompanitë nuk kanë konkurruar për të njëjtin lot. Nga dokumentacioni rezulton se “Ida Auto Group” kishte ofertuar vetëm për rajonin e Gjilanit, ndërsa “Leicon” për rajonet e Prishtinës dhe Prizrenit.
“Operatorët ekonomikë nuk kanë ofertuar për të njëjtin lot, prandaj mungon elementi thelbësor që do të mund të krijonte dyshime të bazuara për deformim të konkurrencës”, vlerëson paneli.
OSHP po ashtu ka konstatuar se nuk ka asnjë dëshmi që operatorët kanë paraqitur dokumente të falsifikuara apo deklarime të rreme.
“Nuk është provuar se operatorët ekonomikë kanë mashtruar autoritetin kontraktues apo kanë paraqitur dokumente të falsifikuara”, thuhet në vendim.
Rasti ngre pikëpyetje edhe për mënyrën se si institucionet publike trajtojnë dyshimet për marrëveshje të ndaluara në tenderë. Ndonëse luftimi i praktikave anti-konkurruese është i domosdoshëm, vendimi i OSHP-së tregon se dyshimet nuk mund të zëvendësojnë provat.
Në këtë rast, Policia e Kosovës ndërmori hapin më të rëndë që mund të merret ndaj një operatori ekonomik – diskualifikimin nga procedura e prokurimit – por pa arritur të argumentojë me fakte se kishte shkelje të ligjit.
Për OSHP-në, pretendimet e Policisë mbetën në nivel supozimesh. Për Policinë, rasti përfundoi me një vendim që ia rrëzoi tërësisht arsyetimin mbi të cilin ishte mbështetur për të larguar kompanitë nga gara. /Kujdestari.info/