Telekomi i Kosovës ka nënshkruar kontratë për furnizim me një pajisje iPhone 17 Pro Max (ose ekuivalent), e cila sipas dokumenteve zyrtare do të përdoret si çmim në një lojë shpërblyese në rrjetet sociale të operatorit mobil Vala, gjatë periudhës së Kampionatit Botëror, shkruan Kujdestari.info.
Sipas njoftimit për nënshkrimin e kontratës, aktiviteti i prokurimit është zhvilluar përmes procedurës së kuotimit të çmimit, ndërsa kontrata është nënshkruar më 29 maj 2026 me kompaninë RIAL GROUP RKS L.L.C., e cila ka ofertuar me çmimin më të ulët prej 1 mijë e 74 euro e 98 centë.
Dokumentet e tenderit zbulojnë se bëhet fjalë për furnizimin e vetëm një pajisjeje iPhone 17 Pro Max, ngjyrë e bardhë, me 256 GB hapësirë, me specifika të avancuara teknike dhe garancion minimal njëvjeçar. Në mesin e kërkesave janë ekran 6.9 inç, procesor A19 Pro, kamera 48 megapiksel dhe mbështetje për rrjetin 5G dhe WiFi 7.
Por ajo që bie në sy është arsyetimi i vetë Telekomit për këtë blerje. Në dosjen e tenderit thuhet se pajisja do të përdoret në kuadër të një loje shpërblyese (giveaway) në rrjetet sociale të Valës, me synim rritjen e ndjekësve, zgjerimin e audiencës dhe shtimin e angazhimit në rrjete sociale gjatë Kampionatit Botëror, në periudhën 11 qershor 19 korrik 2026.
“Në kuadër të planifikimeve për rrjetet sociale gjatë periudhës së Kampionatit Botëror, Sektori për Marketing Dixhital organizon një lojë shpërblyese (Giveaway) në rrjetet sociale zyrtare të Vala, me fokus në rritjen e numrit të ndjekësve (followers), zgjerimin e arritjes së audiencës (reach) dhe rritjen e angazhimit (engagement)”, thuhet në dokumentacionin zyrtar të tenderit.

Aktiviteti i prokurimit ishte iniciuar më 29 prill 2026, ndërsa njoftimi për kontratë ishte publikuar më 6 maj. Tenderët janë hapur më 13 maj, kurse njoftimi për dhënien e kontratës është publikuar më 26 maj. Në garë kanë marrë pjesë katër operatorë ekonomikë, prej të cilëve tre janë konsideruar të përgjegjshëm.
Sipas njoftimit zyrtar, oferta fituese ka qenë më e lira ndër ofertat e përgjegjshme, ndërsa çmimi më i lartë i ofertuar ka arritur në 1 mijë e 157 euro e 58 centë. /Kujdestari.info/
