Ekonomia e Kosovës vazhdon të mbetet e varur nga mallrat e importuara, pavarësisht rritjes së eksporteve. Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se vetëm gjatë tre muajve të parë të vitit 2026 vendi importoi mallra në vlerë prej mbi 1.5 miliard eurosh, duke thelluar hendekun mes asaj që prodhon dhe asaj që konsumon, shkruan Kujdestari.info.
Sipas statistikave të Bilancit të Pagesave të publikuara nga BQK-ja, deri në fund të marsit 2026 deficiti tregtar në mallra arriti në 1.27 miliard euro.
Megjithëse eksportet u rritën me 14.03 për qind dhe arritën në 233.72 milionë euro, ato vazhdojnë të mbulojnë vetëm një pjesë të vogël të importeve, të cilat kapën vlerën prej 1.51 miliard eurosh.
Të dhënat tregojnë se për çdo euro të eksportuar, Kosova importon mbi gjashtë euro mallra.
BQK vlerëson se deficiti tregtar është ulur lehtë krahasuar me vitin e kaluar, por struktura e ekonomisë vazhdon të dominohet nga konsumi i mallrave të huaja. /Kujdestari.info/