Përderisa prodhimi vendor dhe eksportet vazhdojnë të mbeten të kufizuara, remitancat e mërgatës vazhdojnë të luajnë rolin kryesor në mbajtjen gjallë të ekonomisë së Kosovës. Vetëm gjatë tre muajve të parë të vitit, diaspora dërgoi mbi 313 milionë euro, shkruan Kujdestari.info.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, remitancat deri në fund të marsit 2026 arritën në 313.46 milionë euro, duke shënuar rritje prej 7.62 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Po sipas vlerësimeve preliminare, gjatë muajit prill janë dërguar edhe 117.6 milionë euro të tjera, duke e çuar totalin e katër muajve të parë të vitit në mbi 431 milionë euro.
BQK-ja thekson se të ardhurat dytësore, ku përfshihen remitancat, mbeten kontribuuesi kryesor në zbutjen e deficitit të llogarisë rrjedhëse.
Kjo nënkupton se një pjesë e konsiderueshme e stabilitetit ekonomik të vendit vazhdon të mbështetet në të ardhurat që vijnë nga jashtë Kosovës. /Kujdestari.info/
