Që nga nisja e agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022, marrëdhëniet tregtare të Kosovës me Federatën Ruse dhe Bjellorusinë kanë shënuar rënie të ndjeshme, sidomos pas sanksioneve dhe kufizimeve të vendosura nga shtetet perëndimore ndaj Moskës dhe aleatit të saj, Minskut. Megjithatë, pavarësisht tkurrjes së shkëmbimeve tregtare, Kosova vazhdon të importojë mallra të caktuara nga këto dy vende, shkruan Kujdestari.info.
Të dhënat zyrtare të Doganës së Kosovës tregojnë se gjatë periudhës janar-prill 2026, Kosova ka importuar mallra në vlerë prej 50 mijë e 931 euro nga Federata Ruse dhe Bjellorusia, me peshë totale prej mbi 15 mijë kilogramësh.
Nga Federata Ruse, gjatë katër muajve të parë të vitit janë evidentuar 6 importe, në vlerë totale prej 18 mijë e 208 euro. Produkti me vlerën më të lartë i importuar nga Rusia rezulton të jenë instrumentet dhe pajisjet dentare, për të cilat Kosova ka paguar mbi 11 mijë e 900 euro, me një sasi prej 34 kilogramësh.
Po ashtu, nga Rusia janë importuar edhe produkte laboratorike dhe kimike, me vlerë mbi 5 mijë euro, si dhe pjesë të ndryshme për pajisje automobilistike dhe motorë. Në janar është importuar edhe një sasi prej 1 mijë kilogramësh mel, në vlerë prej 680 euro.

Ndërkaq, nga Bjellorusia, sipas të dhënave doganore, janë realizuar 3 importe, me vlerë totale prej 32 mijë e 723 euro. Produkti kryesor i importuar rezultojnë të jenë patatet e prera hollë, të skuqura ose të ngrira, me peshë mbi 3.7 tonë dhe vlerë prej 21 mijë e 853 euro.
Kosova ka importuar nga Bjellorusia edhe maja për bukëpjekës, me mbi 10.5 tonë dhe vlerë mbi 8 mijë euro, si dhe pajisje dentare në vlerë rreth 2 mijë e 700 euro.

Megjithëse vëllimi i tregtisë me këto dy shtete është dukshëm më i ulët krahasuar me periudhën para luftës në Ukrainë, të dhënat tregojnë se importet nuk janë ndalur plotësisht, por janë kufizuar kryesisht në mallra specifike industriale, laboratorike, ushqimore dhe pajisje profesionale. /Kujdestari.info/