E shtunë, 30 Maj, 2026

Alarmi i auditorit: ZRRE s’veproi për inkasimin e 2.1 milionë eurove nga KESCO

Ndaj

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) nuk ka ndërmarrë me kohë veprimet e nevojshme ligjore për inkasimin e një shume prej mbi 2.1 milionë eurosh nga kompania KESCO, megjithëse afati për pagesën e këstit të fundit të gjobës kishte skaduar që në nëntor të vitit 2024. Kjo është një nga gjetjet kryesore të raportit të auditimit për vitin 2025, të publikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), e cila vlerëson se mosveprimi i ZRRE-së ka rritur rrezikun që këto mjete të mos inkasohen fare, duke cenuar potencialisht të hyrat publike, raporton Kujdestari.info.

Sipas ZKA-së, baza ligjore obligon qartë ZRRE-në që, në rast të mos pagesës së gjobave të shqiptuara, të iniciojë procedura gjyqësore për realizimin e tyre. Ligji për Rregullatorin e Energjisë dhe rregullorja për masat administrative dhe gjobat parashohin se në rast të mospagesës brenda afateve ligjore, rregullatori duhet të nisë procedurat në gjykatat kompetente për realizimin e pagesës si borxh civil. Po ashtu, sipas Ligjit për Konfliktet Administrative, padia kundër një akti administrativ nuk e pezullon ekzekutimin e tij, përveç rasteve kur gjykata vendos ndryshe.

Në raport rikujtohet se më 16 nëntor 2022, Bordi i ZRRE-së kishte marrë vendim për shqiptimin e një gjobe prej 8,475,000 euro ndaj KESCO-s, për shkak të shkeljeve ligjore të konstatuara në lidhje me blerjen e energjisë elektrike, pagesat dhe nominimet. Sipas vendimit, kompania obligohej që shumën ta paguante brenda një periudhe dyvjeçare, përkatësisht deri më 15 nëntor 2024, në katër këste të barabarta.

Megjithëse KESCO kishte paraqitur padi për anulimin e vendimit dhe kishte kërkuar shtyrjen e ekzekutimit, kërkesat e saj, sipas auditimit, ishin refuzuar nga Gjykata Komerciale në shkallën e parë dhe të dytë, si dhe nga Gjykata Supreme e Kosovës, e cila kishte refuzuar edhe shqyrtimin e jashtëzakonshëm të rastit.

Nga evidencat e pagesave të shqyrtuara nga auditorët, rezulton se KESCO ka realizuar pagesën e vetëm tre kësteve të gjobës:

kësti i parë më 22 shtator 2023;

kësti i dytë më 15 janar 2024;

kësti i tretë më 17 tetor 2024.

Megjithatë, kësti i katërt në vlerë prej 2,118,750 euro nuk ishte paguar ende, ndonëse afati përfundimtar kishte kaluar më 15 nëntor 2024. ZKA ka konstatuar se deri në shkurt të vitit 2026, obligimi vazhdonte të mbetej i papërmbushur dhe shuma figuronte ende si e arkëtueshme për ZRRE-në.

“Mosrealizimi i plotë i pagesës së gjobës dhe mosndërmarrja me kohë e veprimeve për arkëtimin e saj rrit rrezikun e mosinkasimit të shumës prej 2,118,750 euro, krijon precedent për moszbatim të vendimeve të rregullatorit dhe mund të çojë në humbjen e të drejtës për ekzekutimin e aktit administrativ, duke rrezikuar humbjen e të hyrave për Buxhetin e Republikës së Kosovës”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Për këtë çështje, auditorët i kanë rekomanduar Bordit të ZRRE-së që të sigurojë ndërmarrjen me kohë të të gjitha veprimeve të nevojshme ligjore për inkasimin e plotë të gjobave të shqiptuara.

Megjithatë, në përgjigjen e dhënë ndaj auditimit, ZRRE nuk është pajtuar me gjetjen e ZKA-së, duke kundërshtuar rekomandimin e auditorëve lidhur me këtë çështje. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera