E mërkurë, 3 Qershor, 2026

Planet e partive për energjinë: Nga gazifikimi deri te ndërtimi i një termocentrali të ri

Ndaj

Çështja e energjisë elektrike mbetet një nga top temat e partive politike në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026.

Përderisa në fushatat e mëhershme është folur shumë për rrugë e autostrada, fushata e fundit po karakterizohet me premtime për zgjidhje të çështjes së prodhimit të energjisë, mbulimit të konsumit të brendshëm, si dhe me premtime për mosrritje të faturave të energjisë elektrike.

Në programet partiake të prezantuara në këtë fushatë, partitë politike kanë premtuar investime në termocentralet ekzistuese, ndërtim të termocentralit të ri, diversifikim energjetik, rritjen e numrit të komunave që përdorin ngrohjen qendrore si dhe gazifikim të rrjetit energjetik.

remtimet e partive arrijnë në shifra qindra milionëshe, teksa ato zotohen se brenda një mandati do të zgjidhin përfundimisht problemet me energji elektrike në vend.

LVV: Investim në termocentralet e vjetra dhe gazifikim të qymyrit për prodhimin e energjisë

Lëvizja Vetëvendosje që ka udhëhequr me Kosovën të paktën në pesë vitet e fundit, zotohet për pavarësi energjetike dhe përballueshmëri të çmimeve të energjisë elektrike. Kjo parti nuk ka premtuar ndërtimin e ndonjë centrali të ri, por rinovimin e termocentraleve ekzistuese, si dhe investimet në energji solare dhe atë të erës.

Në programin e saj qeverisës, LVV parasheh investime në kapacitetet elektroenergjetike që bazohen në burime vendore, në sisteme të ngrohjes qendrore dhe në efiçiencë të energjisë.

Sipas kësaj partie, do të vazhdohet investimi në njësitë e termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”, të cilat investime pretendohet se do të rrisin kapacitetin e tyre së paku për 20 vite.

“Me modernizimin dhe vendosjen e filterëve që tashmë janë duke u realizuar, kapaciteti prodhues i termocentralit “Kosova B” po rritet për së paku 20%, emetimet e pluhurit do të ulen për 97%, ndërsa emetimet e oksideve të azotit ulen për 75%. Ndërsa, me rehabilitimin e thellë të njësive të termocentralit “Kosova A”, kapaciteti prodhues do të rritet për 60%” – thuhet në programin qeverisës të LVV-së.

Kjo parti ka premtuar trefishim të kapaciteteve të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, përmes investimeve publike dhe përkrahjen e investimeve private.

“Vetëm nga projektet të nisura tashmë, do të kemi së paku 305 MW kapacitete të erës dhe 250 MW kapacitete diellore, duke arritur që 20% e energjisë që konsumojmë të vijë nga burimet e pastra të energjisë. Si rezultat i të gjitha këtyre investimeve, Kosova do të bëhet neto eksportuese e energjisë elektrike”.

Për stabilitetin elektroenergjetik, LVV ka përmendur sistemin e baterive për ruajtjen e energjisë, me kapacitet 340 Mwh, që thuhet se do të mundësojë integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në rrjet, si dhe do të kontribuojë në përballueshmërinë e çmimeve duke ulur kostot e shërbimeve ndihmëse.

Partia e udhëhequr nga Albin Kurti, ka premtuar gazifikim të qymyrit për prodhimin e energjisë, si dhe në të njëjtën kohë intensifikimin e bashkëpunimit për ndërtimin e kapaciteteve të përbashkëta energjetike me Shqipërinë.

“Pas bashkimit të tregut të energjisë elektrike me Shqipërinë përmes Bursës Shqiptare të energjisë elektrike “ALPEX” në vitin 2024, do të vazhdojë integrimi rajonal i tregut, duke rritur likuiditetin e tregut dhe konkurrencën e transparencën në tregtimin e energjisë elektrike. Paralelisht, do të bëhen përgatitjet për integrimin e Kosovës në tregun evropian të energjisë elektrike” – thuhet në programin qeverisës të Vetëvendosjes.

Përveç investimeve në prodhim dhe gazifikim, Vetëvendosje ka premtuar investime edhe në ngrohje qendrore në të gjitha rajonet e Kosovës.

Sipas programit, gjatë mandatit do të përfundojë dyfishimi i kogjenerimit në TC “Kosova B”, si dhe projekti i ngrohjes qendrore në Obiliq dhe ngrohja qendrore solare në Prishtinë.

“Pa vonesa fillon puna me projektet për ngrohje qendrore në qytetet Gjilan, Ferizaj, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Fushë Kosovë, Podujevë dhe Lipjan”.

Vazhdim të investimeve Vetëvendosje ka premtuar edhe për efiçiencë të energjisë, duke u zotuar për 150 milionë euro për familjet që kanë nevojë për izolimin e shtëpive të tyre, si dhe për përmirësimin e kushteve në ndërtesat publike si shkolla, spitale, salla sportive, me qëllim për të ulur konsumin e energjisë.

PDK: Termocentral i ri, investime në kapacitetet ekzistuese dhe gazifikim

Premtimi kryesor i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në lidhje me çështjen e energjisë, është ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet prej rreth 500 MW.

Sipas PDK-së, ky projekt do të sigurojë furnizim stabil për dekadat e ardhshme; do të zvogëlojë varësinë nga importi; do të stabilizojë çmimin e energjisë; si dhe do të krijojë vende të reja pune dhe zhvillim ekonomik.

Përveç kësaj, PDK është zotuar për heqjen e TVSH-së për energjinë elektrike, si masë e drejtpërdrejt për uljen e faturave mujore.

Njëjtë sikur LVV, edhe PDK ka premtuar investime në kapacitetet ekzistuese si TC “Kosova A”, që synon zgjatjen e jetëgjatësisë së tij edhe për së paku 25 vite.

“Modernizimi do të rrisë sigurinë teknike, do të përmirësojë efikasitetin prodhues, do të ulë ndotjen përmes teknologjive më të avancuara dhe do të sigurojë prodhim stabil vendor. Ky investim është jo vetëm energjetik — është garancion i pavarësisë dhe stabilitetit të furnizimit për qytetarët dhe ekonominë” – thuhet në programin qeverisës të prezantuar nga PDK.

Gjithashtu, PDK ka premtuar zhvillimin e sistemeve të ngrohjes qendrore nga termocentralet ekzistuese në së paku pesë qytete të Kosovës, por që nuk i ka përmendur cilat qytete.

Sipas kësaj partie, ky projekt do të shfrytëzojë energjinë termike të tepërt që humbet, duke e kthyer atë në ngrohje të përballueshme për familjet.

PDK ka premtuar investime edhe në energjinë diellore dhe atë të ripërtëritshme.

Për dallim prej partive tjera, PDK premtuar ndërtimin e një parku solar në zonën e hirit të termocentraleve.

“Ky projekt përfaqëson tranzicion energjetik të mençur — njëkohësisht rehabilitim mjedisor dhe investim strategjik. Qytetarët dhe bizneset do të inkurajohen aktivisht të marrin pjesë në prodhimin e energjisë përmes subvencioneve 30–50% për panelet solare” – zotohet PDK-ja.

Një tjetër premtim i PDK-së për çështjen e energjisë, është edhe ndërtimi i infrastrukturës së gazit në Kosovë, me partnerët ndërkombëtarë.

Sipas tyre, gazifikimi do të ofrojë një alternativë më fleksibël dhe më të pastër për industri dhe ngrohje, si dhe do të ulë varësinë nga një burim i vetëm energjie.

LDK: Central me gaz amerikan dhe plan kombëtar për vetura elektrike

Për dallim nga partitë e tjera që nuk e kanë në program apo zotim, Lidhja Demokratike e Kosovës ka premtuar që për tri vitet e para – nëse do të jetë në krye të Qeverisë – nuk do të ketë rritje të faturave të energjisë elektrike.

Në programin qeverisës, LDK është zotuar se pavarësisht luhatjeve të tregut ndërkombëtar, faturat për tre vite nuk do të “preken”.

”LDK zotohet të vendosë një moratorium të plotë të rritjes së çmimeve të energjisë elektrike për qytetarët për tre vitet e ardhshme. Kjo masë mbron menjëherë buxhetin familjar nga rritjet e papritura. Diferenca e kostove mbulohet përmes fondit të stabilizimit të tregut të energjisë” – thuhet në programin e LDK-së.

Një tjetër premtim i LDK-së ndryshe nga partitë e tjera, është ndërtimi i një centrali me gaz amerikan, me kapacitet prej 500 MW.

LDK është zotuar të ndërtojë këtë central me gaz të lëngshëm amerikan, me investim prej 500 milionë eurove.

“Ky central siguron kapacitete bazë të qëndrueshme dhe redukton varësinë kritike nga importi, veçanërisht gjatë periudhave të konsumit të lartë dimëror”.

Ngjashëm sikur PDK, edhe LDK-ja është zotuar për heqjen e TVSH-së për faturat e energjisë elektrike, përmes së cilës synon uljen direkt të pagesave mujore të çdo familje.

Gjithashtu, një tjetër premtim i LDK-së për çështjen e energjisë, është edhe gazifikimi i Kosovës. Ata janë zotuar për linjën e gazit nga Hani i Elezit deri në Mitrovicë, me vlerë rreth 120 milionë euro, që sipas tyre, do të mundësojë furnizimin me gaz natyror amerikan përmes rrjetit ekzistues të Maqedonisë së Veriut.

Përveç gazit, LDK ka premtuar investime edhe në energjinë e rinovueshme të tilla si energjia solare dhe energjia nga era.

Për këtë ka planifikuar të investojë përmes partneritetit publiko-privat.

“Parqet e erës janë të planifikuara në mënyrë strategjike, pasi prodhimi i tyre është më i lartë gjatë dimrit, kur kërkesa për energji arrin nivelet maksimale.Diversifikimi i burimeve e bën sistemin energjetik rezistent ndaj goditjeve: nëse njëri burim dështon, të tjerët e mbulojnë” – thuhet në programin qeverisë së LDK.

LDK është zotuar edhe për një plan kombëtar për veturat elektrike.

Sipas programit qeverisës së prezantuar, plani përfshin zhvillimin e infrastrukturës së mbushjes, stimujt fiskalë e rregullator për t’i bërë veturat elektrike më të arritshme për familjet.

Sipas LDK-së, normat e TVSH-së për veturat elektrike dhe për mbushësit e shpejtë do të jetë 0%, me qëllim për të ulur koston e blerjes dhe instalimit.

AAK: Termocentral i ri, gaz amerikan dhe ulje e TVSH-së për faturat e energjisë

Edhe Aleanca, që kësaj here ka kandidat për kryeministër Ardian Gjinin, ka premtuar ndërtimin e një termocentrali të ri me qymyr.

Në programin qeverisës të prezantuar nga kjo parti, është premtuar po ashtu rikthimi projektit të gazit.

“Do të rinisim menjëherë projektimin gjeostrategjik për ndërtimin e interkoneksionit të gazsjellësit me Maqedoninë e Veriut (lidhja me gazsjellësin TAP), duke integruar rrjetin e gazit si burim kyç për industrinë dhe diversifikimin energjetik” – thuhet në programin e Aleancës.

Përveç kësaj, Aleanca është zotuar për funksionalizimin në plotëni të tregut të përbashkët të energjisë Kosovë – Shqipëri të njohur si ALPEX.

Aleanca po ashtu është zotuar për një reformë teknike dhe menaxheriale në KEK, sipas tyre, me synimin për të eliminuar keqmenaxhimin dhe kaosin financiar.

Rrjedhimisht, kanë premtuar modernizimin e kapaciteteve bazë, duke investuar në revitalizimin e blloqeve ekzistuese të termocentraleve, me qëllim për të siguruar një kapacitet të qëndrueshëm deri në 500 MW.

Po ashtu, Aleanca ka premtuar liberalizimin e tregut për investimeve private në energji solare dhe të erës, si dhe investime në ngrohje qendrore me biomasë.

“Do të ndërtojmë 7 qendra të reja të ngrohjes qendrore me biomasë në komunat ku ekziston potenciali lokal, duke hequr një barrë të madhe të konsumit nga rrjeti elektrik gjatë dimrit. Programi Nacional për Efiçiencë: Do të rrisim fondin shtetëror për izolimin e objekteve publike, shkollave, spitaleve dhe shtëpive private, duke reduktuar direkt humbjet teknike dhe faturat e qytetarëve” – thuhet në programin e Aleancës.

Një tjetër premtim i Aleancës është ulja e TVSH-së së energjisë elektrike nga 8% në 6%.

Aktualisht Kosova shumicën e energjisë elektrike e siguron nga prodhimi në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) përmes dy termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”.

Vite më parë ishte planifikuar ndërtimi edhe një termocentrali të ri me qymyr.

I nisur si projekt 17 vjet më parë dhe i paraparë të vihej në funksion këtë vit, Termocentrali “Kosova e Re” nuk u finalizua kurrë.

Projekti fillestar u rishikua dhe u ndryshua disa herë – varësisht qeverive që merrnin pushtetin – deri më 2017.

Atë vit, Qeveria e atëhershme e Kosovës nënshkroi marrëveshje komerciale me kompaninë amerikane, ContourGlobal, për ndërtimin e këtij termocentrali, që do të kushtonte 1.3 miliard euro.

Si i tillë, projekti përfaqësonte investimin më të madh të huaj në Kosovë.

Termocentrali do të funksiononte me thëngjill dhe do të kishte kapacitet prodhimi prej 500 megavatesh në orë.

Me termocentralet aktuale, “Kosova A” dhe “Kosova B”, që po ashtu funksionojnë me thëngjill, Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavate rrymë në orë.

Ndërtimi edhe i një termocentrali me thëngjill kundërshtohej vazhdimisht nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët e konsideronin si të dëmshëm për mjedisin.

Banka Botërore, fillimisht, i dha mbështetje projektit, duke premtuar edhe një lloj garancie që do t’i mundësonte investitorit marrjen e një kredie me interes të ulët

Por, në vitin 2018, institucioni ndërkombëtar financiar deklaroi se nuk do ta mbështesë më ndërtimin e një termocentrali të ri me thëngjill.

Pavarësisht kësaj, ContourGlobal tha atëkohë se nuk do të zmbrapset nga realizimi i projektit.

Kështu, deri në mars të vitit 2020 kur njoftoi përfundimisht tërheqjen nga projekti.

Në arsyetimin e lëshuar, kompania tha se nuk do të realizojë më projekte me thëngjill, por përmendi edhe ndryshimet e vazhdueshme politike në Kosovë, që kishin ndikuar në projekt.

Në kohën kur ishte nënshkruar kontrata me ContourGlobal, më 2017, Qeveria e Kosovës udhëhiqej nga Ramush Haradinaj.

Kur kompania amerikane u tërhoq nga projekti, pushtetin e mbante një koalicion mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Asnjëra prej këtyre partive nuk e mbështeste projektin.

Lëvizja Vetëvendosje këmbëngulte se kompania në fjalë mund ta rrisë çmimin e faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike, ndërsa LDK-ja shprehej pro ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike, por kundër alternativave investuese që shtrenjtojnë çmimin përfundimtar të energjisë elektrike.

Përveçse u tërhoq, ContourGlobal e dërgoi Kosovën edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit në dhjetor 2020 për, siç u tha, mosrespektim të kontratës.

Kontrata mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë amerikane, ContourGlobal parashihte që, nëse Qeveria e Kosovës zvarrit kontratën duke mos i përmbushur obligimet, atëherë ajo do të ketë përgjegjësi financiare ndaj kompanisë ContourGlobal në vlerë prej 19.7 milionë eurosh.

Sipas kontratës, nëse Kosova i përfundon obligimet, por ContourGlobal nuk arrin ta sigurojë pakon financiare, atëherë kjo kompani do t’i detyrohet Kosovës me një shumë prej 17.5 milionë eurosh.

Kuvendi i Kosovës nuk arriti t’i jepte miratimin përfundimtar ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”.

Atëkohë, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit e Kosovës tha se, pas disa tentativave për zgjidhje të kontestit me marrëveshje, investitori ContourGlobal parashtroi kërkesë për arbitrazh në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Pas një procesi gati trevjeçar, ky institucion vendosi në favor të kompanisë amerikane. /Kallxo.com/

Lexo më shumë

Të tjera