Komuna e Prishtinës ka pësuar një goditje të rëndë financiare vetëm gjatë muajit maj, pasi afro 3 milionë euro janë ekzekutuar përmes Thesarit në emër të vendimeve gjyqësore dhe procedurave përmbarimore, shkruan Kujdestari.info.
Sipas raportit mujor të Drejtorisë së Financave për muajin maj 2026, vlera totale e vendimeve gjyqësore të ekzekutuara ka arritur në 2,941,782.43 euro, një shumë që paraqet barrë të konsiderueshme për buxhetin komunal. Kjo shumë është paguar nga Thesari i Kosovës dhe lidhet me detyrime të krijuara përmes proceseve gjyqësore ndaj komunës.
Nga të dhënat e raportit rezulton se pjesa dërrmuese e kësaj vlere, saktësisht 2,863,782.43 euro, është realizuar si pagesë në kuadër të kategorisë “Pagesat sipas vendimeve gjyqësore” në sektorin e investimeve kapitale dhe menaxhimit të kontratave. Përveç kësaj, janë evidentuar edhe pagesa shtesë në kategori të ndryshme, përfshirë 54 mijë euro në shpenzime komunale, 24 mijë euro në menaxhimin e fatkeqësive natyrore, 7,556 euro në subvencione si dhe 16,443 euro në mallra dhe shërbime.
Shuma prej afro 3 milionë eurosh konsiderohet veçanërisht e rëndë për buxhetin e kryeqytetit, sidomos duke pasur parasysh se ajo është ekzekutuar brenda vetëm një muaji. Për krahasim, kjo shumë përbën mbi një të pestën e totalit të shpenzimeve mujore të Komunës së Prishtinës, të cilat gjatë majit arritën në 13.2 milionë euro.
Pagesat e mëdha për vendime gjyqësore dhe përmbarimore shpesh lidhen me kontrata të kontestuara, procese të zvarritura ligjore apo obligime të papaguara ndër vite, të cilat në fund rëndojnë drejtpërdrejt mbi taksapaguesit. /Kujdestari.info/
