Raporti i fundit i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për Komunën e Skenderajt ka nxjerrë një varg problemesh serioze në menaxhimin e tenderëve publikë, subvencioneve, realizimin e projekteve kapitale dhe kontrollin e financave komunale, shkruan Kujdestari.info.
Gjetjet e auditorit nuk janë vetëm teknike apo administrative. Ato prekin drejtpërdrejt transparencën, konkurrencën e ndershme dhe mënyrën se si shpenzohen paratë publike në komunën që udhëhiqet nga Sami Lushtaku. Raporti evidenton dobësi në hartimin e tenderëve, mosrespektim të rregullave të prokurimit, financim të dyfishtë të organizatave, kontrata që zvarriten përtej afateve dhe kontroll të dobët institucional.
Një ndër gjetjet më të ndjeshme lidhet me mënyrën si janë hartuar specifikimet teknike në tenderë, sidomos në një rast ku janë përmendur drejtpërdrejt brende apo produkte specifike, pa u shoqëruar me formulimin ligjor “ose ekuivalent”. Pikërisht kjo është një prej çështjeve që auditori e trajton si problematikë me ndikim të drejtpërdrejtë në konkurrencë. Sipas auditorit, në procedurën e prokurimit për “Furnizim me ushqim dhe pije si dhe me material higjieniko-sanitar për nevojat e shkollave dhe të gjitha institucioneve tjera në kuadër të Komunës së Skenderajt”, me vlerë të parashikuar prej 346,500 euro, janë identifikuar 14 pozicione ku përmenden brende specifike pa u përdorur formulimi “ose ekuivalent”. (DOKUMENT)
Në shikim të parë, mund të duket një detaj teknik, por në praktikën e prokurimit publik kjo konsiderohet ndër çështjet më sensitive. Çfarë do të thotë konkretisht mungesa e shprehjes “ose ekuivalent”? Nëse autoriteti kontraktues specifikon një markë të caktuar pa e lënë të hapur mundësinë që operatorët ekonomikë të ofertojnë produkte të ngjashme me cilësi të krahasueshme, atëherë praktikisht kufizohet konkurrenca. Në vend që të krijohet një garë e hapur ku bizneset konkurrojnë me çmim dhe cilësi, krijohet rreziku që tenderi të favorizojë një furnizues të caktuar ose një grup të kufizuar operatorësh ekonomikë që kanë qasje në ato produkte specifike.
Auditori është shumë i qartë në këtë pikë. Duke iu referuar Ligjit për Prokurimin Publik, neni 28, thuhet se autoriteti kontraktues nuk duhet të përpilojë specifikime teknike që i referohen një produkti, marke apo origjine specifike, përveç rasteve të jashtëzakonshme dhe edhe atëherë “çfarëdo referimi i tillë të shoqërohet me fjalët ‘ose ekuivalent’”. ZKA konstaton se mungesa e kësaj formule ligjore mund të ndikojë në “favorizimin apo kufizimin e konkurrencës ndërmjet ofertuesve”.
Por problemi nuk ndalet vetëm te brendet. Në një tjetër tender të rëndësishëm, për “Ndërtimin dhe asfaltimin e rrugëve në qytet” me vlerë mbi 1.23 milion euro, auditori ka gjetur se dosja e prokurimit përfshinte vetëm paramasën dhe parallogarinë e punimeve, por jo projektin detaj ekzekutiv, një element thelbësor për projektet kapitale. Sipas auditorit, mungesa e projektit detaj ekzekutiv rrit rrezikun për paqartësi në realizimin dhe mbikëqyrjen e punimeve. Në praktikë kjo mund të nënkuptojë vonesa, aneks-kontrata, ndryshime të vazhdueshme gjatë zbatimit dhe rritje eventuale të kostos së projektit.
Një prej pjesëve më alarmante të raportit lidhet me kontratat publike ku është tejkaluar afati i realizimit, ndërsa siguria e ekzekutimit. Pra garancioni që kompania duhet ta mbajë aktiv për t’i mbuluar dëmet në rast mosrealizimi, nuk është vazhduar. Auditori ka identifikuar tri raste konkrete ku projektet nuk janë përfunduar sipas afatit, por megjithatë garancionet kanë skaduar.
Njëri prej rasteve lidhet me projektin “Trotuaret dhe ndriçimi LED në bashkësitë lokale Likoc, Klinë e Epërme, Runik dhe Turiqec”, me vlerë prej 649,649 euro. Sipas auditorit, sigurimi i ekzekutimit kishte skaduar në shtator 2025, ndonëse kontrata kishte vazhduar edhe gjatë vitit 2026. Në një rast tjetër, projekti për “Ndërtimin e çerdhes për fëmijë – vazhdimi i aneksit të dytë”, me vlerë mbi 386 mijë euro, kishte garancion të skaduar qysh në mars 2025, ndërsa kontrata vazhdonte ende. Rasti i tretë ka të bëjë me ndërtimin e shëtitores natyrore dhe krijimin e hapësirave rekreative përgjatë lumit Klina, ku kontrata kërkonte vlefshmëri të sigurimit për 19 muaj, ndërsa operatori ekonomik kishte ofruar vetëm 12 muaj.
Pse është problem kjo? Sepse garancioni i ekzekutimit është një lloj sigurie financiare për komunën. Nëse kompania dështon të kryejë punët, vonon apo shkakton dëme, komuna teorikisht mund ta aktivizojë këtë garanci. Por kur garancioni skadon e nuk vazhdohet, komuna praktikisht mbetet pa mbrojtje financiare. Edhe auditori e thotë qartë: “mosvazhdimi i sigurisë së ekzekutimit nuk garanton mbulimin e dëmeve dhe shpenzimeve në rast të mos përmbushjes së kontratës nga ana e kontraktuesit.” Kjo ngre pyetje serioze për mbikëqyrjen e kontratave dhe përgjegjësinë institucionale.
Një tjetër problematikë e evidentuar është tejkalimi i afateve kontraktuale në projekte kapitale – një fenomen që shpesh hap rrugë për kosto shtesë dhe zvarritje të investimeve publike. Sipas auditorit, tetë projekte kapitale nuk janë realizuar brenda afatit të paraparë me kontratë. Në mesin e tyre janë punimet në rrjetin e ujësjellësit në Qirez me vlerë mbi 1.6 milion euro, rregullimi i qendrës në Runik, rregullimi i qendrës në Qirez, trotuaret dhe ndriçimi LED në disa lokalitete dhe rregullimi i tribunave të stadiumit të qytetit.
Kur projektet publike nuk përfundojnë me kohë, pasojat nuk janë vetëm financiare. Qytetarët mbeten pa shërbimet e premtuara, infrastruktura nuk vihet në funksion, ndërsa ekziston gjithmonë rreziku që përmes vonesave të krijohen rrethana për anekse të reja kontraktuale dhe pagesa shtesë. Në shumë raste në Kosovë, projektet që fillojnë me një vlerë përfundojnë me kosto dukshëm më të lartë pas shtyrjeve të shumta.
Një tjetër gjetje që mund të ngjall debat publik ka të bëjë me financimin e organizatave joqeveritare. Auditori ka konstatuar se Komuna e Skenderajt gjatë vitit 2025 ka subvencionuar dy herë brenda vitit të njëjtin përfitues/OJQ. Bëhet fjalë për financimin e aktivitetit “Muaji i Mërgatës” në vlerë prej 13,100 euro dhe “Aktivitete rinore dhe kulturore” në vlerë prej 7,500 euro. Sipas rregullores komunale, përfituesi i subvencioneve mund të jetë vetëm një herë brenda vitit, me disa përjashtime specifike që nuk lidhen me këtë rast. Auditori konstaton se kjo ka ndodhur si rezultat i mungesës së kontrollit të mjaftueshëm gjatë shqyrtimit dhe aprovimit të kërkesave për subvencione.
Kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me një procedurë burokratike. Kur një OJQ përfiton dy herë, ndërsa të tjerat mund të mos kenë marrë asnjë financim, lind çështja e trajtimit të barabartë. Vetë auditori paralajmëron se ndarja e subvencioneve në kundërshtim me rregulloren komunale “rrit rrezikun e trajtimit jo të barabartë të përfituesve dhe mund të kufizojë mundësinë e përfitimit për OJQ tjera”.
Përveç tenderëve dhe subvencioneve, ZKA ka gjetur edhe probleme serioze financiare. Komuna ka bërë pagesa në vlerë prej afro 494 mijë eurosh në kategori ekonomike jo adekuate. Një pjesë e madhe e këtyre pagesave, sipas auditorit, lidhen me obligime që rrjedhin nga vendimet gjyqësore dhe kontratat kolektive, por janë paguar nga kategori të tjera buxhetore si investimet kapitale, mallrat dhe shërbimet apo subvencionet. Auditori vlerëson se kjo ka ndikuar në raportim jo të saktë financiar.
Po ashtu, ZKA ka evidentuar mungesë të vlerësimit të performancës së kontraktorëve në platformën e e-prokurimit. Në gjashtë kontrata publike të përfunduara nuk ishte bërë vlerësimi i performancës së operatorëve ekonomikë, ndonëse kjo është obligim ligjor. Kjo do të thotë se kompanitë që mund të kenë pasur performancë të dobët ose vonesa potencialisht mund të vazhdojnë të fitojnë tenderë publikë pa pasur një histori të dokumentuar të problemeve. /Kujdestari.info/