E shtunë, 13 Qershor, 2026

Kush po e mban gjallë ekonominë e Kosovës

Ndaj

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat për Bruto Produktin Vendor (BPV) për tremujorin e parë të vitit 2026, sipas aktiviteteve ekonomike dhe qasjes së shpenzimeve, duke bërë të ditur se ekonomia e vendit ka shënuar rritje reale prej 5.43 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Sipas ASK-së, rritja ekonomike është mbështetur nga performanca pozitive e shumicës së sektorëve ekonomikë, ndërsa kontributin më të madh e kanë dhënë administrata publike, arsimi, shëndetësia dhe aktivitetet e punës sociale.

“BPV-ja në TM1 2026 shënon rritje reale për 5.43%, krahasuar me TM1 2025”, thuhet në raportin e ASK-së.

Ndër aktivitetet ekonomike që kanë shënuar rritje gjatë tremujorit të parë të këtij viti, sektori i administratës publike dhe mbrojtjes, sigurimit social të detyrueshëm, arsimit, shëndetësisë dhe aktiviteteve të punës sociale ka regjistruar rritjen më të lartë, prej 22.11 për qind.

Po ashtu, rritje është evidentuar në sektorin e arteve, argëtimit dhe çlodhjes, si dhe në aktivitetet e prodhimit të mallrave të familjeve për përdorim të vet dhe shërbimeve të tjera, me 13.11 për qind.

Sektorët e tjerë që kanë kontribuar në rritjen ekonomike janë aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 4.76 për qind, aktivitetet shkencore, profesionale dhe teknike, së bashku me shërbimet administrative dhe mbështetëse me 3.52 për qind, si dhe industria nxjerrëse, përpunuese, furnizimi me energji elektrike, gaz dhe ujë, si dhe menaxhimi i mbeturinave me 3.34 për qind.

Lexo më shumë

Të tjera