Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka evidentuar shkelje serioze në proceset e prokurimit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), e udhëhequr gjatë vitit 2025 nga ministrja Donika Gërvalla, duke ngritur shqetësime për ligjshmërinë e vlerësimit të tenderëve dhe respektimin e konkurrencës së barabartë, shkruan Kujdestari.info.
Njëra nga gjetjet më serioze lidhet me tenderin për “Shërbimet e mirëmbajtjes higjienike”, ku sipas auditorit, Komisioni Vlerësues ka ndërhyrë në çmimin total të ofertës së operatorit ekonomik fitues, duke e ulur atë nga 134,450 euro në 124,450 euro, nën arsyetimin e korrigjimit të gabimeve aritmetike. (RAPORTI)
Megjithatë, ZKA ka konstatuar se në dokumentacion nuk është identifikuar asnjë gabim aritmetik, pasi çmimet për njësi dhe llogaritjet rezultonin të sakta. Sipas auditorit, edhe nëse do të ekzistonte ndonjë gabim, ndryshimi prej 10 mijë eurosh përbën rreth 7.4% të ofertës, duke e tejkaluar dukshëm kufirin maksimal prej 2% të lejuar me ligj për korrigjime të tilla.
“Ndërhyrja në çmimin total të ofertës paraqet rrezik për mosrespektimin e parimit të trajtimit të barabartë të operatorëve ekonomikë dhe mund të cenojë integritetin dhe besueshmërinë e procesit të prokurimit”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Po ashtu, auditori ka gjetur parregullsi edhe në tenderin për “Renovimin dhe riorganizimin e bodrumit në MPJD dhe aneksobjektit”, në vlerë prej 359,638 euro, ku në paramasë dhe parallogari janë specifikuar marka tregtare dhe emra prodhuesish konkretë, si THERMATEX, Uniflot, XPS, Mapei dhe Schneider, pa arsyetim të mjaftueshëm ligjor.
Sipas ZKA-së, ligji i prokurimit publik nuk lejon referenca të tilla ndaj markave apo prodhuesve të caktuar, përveç rasteve të jashtëzakonshme dhe vetëm kur shoqërohen me formulimin “ose ekuivalent”. Auditori vlerëson se praktika e përdorur nga MPJD mund të ketë ndikuar në kufizimin e konkurrencës dhe trajtim jo të barabartë të operatorëve ekonomikë.
Ministria, sipas raportit të auditimit, është pajtuar me rekomandimet e ZKA-së për forcimin e kontrolleve në proceset e prokurimit. /Kujdestari.info/