E martë, 9 Qershor, 2026

“Pro&Co Group” la pezull projektin milionësh në Opterushë? Ministria kërkoi futjen në listën e zezë, OSHP: Dërgojeni rastin në Gjykatë

Ndaj

Një projekt publik që synonte zhvillimin e infrastrukturës në Parkun Industrial në Opterushë, i konsideruar si një investim me rëndësi për zhvillimin ekonomik dhe biznesor të zonës, është shndërruar po shendrrohet ne histori të gjatë zvarritjesh, vonesash dhe përplasjesh institucionale, ku në qendër të kritikave është kompania “Pro&Co Group”, për të cilën Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) pretendon se ka neglizhuar vazhdimisht realizimin e punimeve sipas kontratës, shkruan Kujdestari.info.

Madje, frustrimi institucional ka shkuar deri në atë pikë sa ministria t’i drejtohet Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) me kërkesë zyrtare që kompania të diskualifikohet nga pjesëmarrja në tenderët publikë, një masë që në praktikë njihet si futje në “listën e zezë” të operatorëve ekonomikë. Por, pavarësisht një dosjeje voluminoze me pretendime, raporte, paralajmërime dhe ankesa ndaj operatorit ekonomik, OSHP ka vendosur ta refuzojë kërkesën, duke argumentuar se ligji nuk e lejon një ndëshkim të tillë vetëm mbi bazën e neglizhencës në punime apo mosrealizimit të kontratës. (DOKUMENT)

Në vendimin e publikuar, OSHP e ka bërë të qartë se përjashtimi i një kompanie nga pjesëmarrja në tenderë publikë mund të ndodhë vetëm nëse dëshmohet se ajo ka paraqitur dokumente të falsifikuara apo të rreme gjatë procesit të prokurimit – gjë që sipas këtij institucioni nuk është dëshmuar në rastin e “Pro&Co Group”. Si rrjedhojë, ministrisë i është sugjeruar që, nëse konsideron se kompania ka shkelur kontratën, rastin ta ndjekë përmes rrugëve gjyqësore.

Sipas dokumenteve në OSHP, bëhet fjalë për aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i infrastrukturës në Parkun Industrial Opterushë”, një projekt i iniciuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes të cilit synohej krijimi i infrastrukturës së nevojshme për zhvillimin industrial dhe ekonomik të zonës.

Pra, projekti me potencial zhvillimor, sipas ministrisë u shndërrua gradualisht në një histori zvarritjeje të pafundme, ku kompania fituese nuk po arrinte, ose sipas pretendimeve të autoriteteve nuk po tregonte vullnet të mjaftueshëm për ta çuar përpara realizimin e kontratës.

Dokumentet tregojnë se ministria kishte filluar të shfaqte shqetësime serioze për ecurinë e projektit që nga fazat e hershme të implementimit.

Me 17 mars 2023, sipas vendimit të OSHP-së, ishte realizuar një vizitë në terren për të parë nga afër gjendjen e projektit. Gjatë kësaj periudhe, operatori ekonomik ishte njoftuar për kushtet aktuale dhe i ishte kërkuar mobilizim i menjëhershëm për nisjen e punimeve në përputhje me kontratën. Punimet sipas dokumenteve kishin nisur më 27 mars 2023, por ministria pretendon se shumë shpejt ritmi i tyre filloi të binte dhe realizimi nuk po ecte sipas pritjeve.

Madje, në dokument përshkruhet se institucionet kishin bërë përpjekje shtesë për ta ndihmuar operatorin ekonomik që projekti të përfundonte në kohë, duke diskutuar mundësinë që buxheti i planifikuar për vitin 2024 të vihej në dispozicion më herët, në mënyrë që kompania të kishte fleksibilitet financiar dhe projekti të përmbyllej brenda vitit 2023.

Megjithatë, sipas pretendimeve të ministrisë, edhe kjo nuk solli rezultatet e pritura.

“Makineritë janë në servis”, arsyetimi që hapi kapitullin e vonesave

Pas ndërprerjes sezonale gjatë dimrit të vitit 2023, ministria kishte kërkuar rifillimin e punimeve në fillim të vitit 2024.

Sipas dokumenteve, më 8 shkurt 2024 ishte kërkuar zyrtarisht rifillimi i punimeve, por vetëm një ditë më vonë, më 9 shkurt 2024, menaxheri i kompanisë kishte njoftuar përmes emailit se punimet nuk mund të rinisnin për shkak të servisimimit të makinerive.

Ky shpjegim duket se nuk i kishte bindur zyrtarët e ministrisë, të cilët kishin filluar një seri takimesh dhe komunikimesh intensive me përfaqësuesit e operatorit ekonomik, duke kërkuar mobilizim më serioz në terren.

Në fund të muajit shkurt 2024, sipas dokumenteve, përfaqësuesit e operatorit ekonomik ishin thirrur në takim në zyrat e KIESA-s, ku ministria kishte shprehur shqetësimet për mosfillimin e punimeve dhe kishte kërkuar qartë që ritmi të intensifikohej.

Aty, sipas shkresave, kompania kishte premtuar se punimet do të rifillonin me intensitet të plotë nga data 27 shkurt 2024, duke u zotuar se gjithçka do të realizohej sipas planit dinamik të kontratës.

Por sipas ministrisë, ajo që ndodhi në terren nuk përputhej me premtimet.

Vizita pas vizite, paralajmërim pas paralajmërimi

Një nga pjesët më domethënëse të dokumentit të OSHP-së është kronologjia e gjatë e vizitave në terren dhe paralajmërimeve ndaj kompanisë.

Më 5 prill 2024, ministria kishte konstatuar se punimet po vazhdonin me të njëjtin ritëm të ngadaltë, ndërsa kompanisë i ishte kërkuar përsëri rritje e intensitetit të punimeve.

Vetëm pak ditë më vonë, më 12 prill 2024, një ekip i përbërë nga zyrtarë të ministrisë dhe organit mbikëqyrës kishte zhvilluar një tjetër vizitë në terren. Dokumentet tregojnë se kishte një rritje të përkohshme të kapaciteteve, por ministria kishte insistuar sërish që të respektohej plani dinamik i punimeve.

Më 2 maj 2024, një tjetër inspektim kishte konstatuar se kompania po punonte vetëm në disa pozicione të kufizuara, duke mos reflektuar angazhim të plotë për realizimin e projektit.

E njëjta situatë, sipas dokumenteve, ishte evidentuar edhe më 27 maj, 25 qershor, 5 korrik dhe 23 korrik 2024, ku ministria vazhdimisht kishte kërkuar respektim të planit dinamik dhe kishte paralajmëruar se në të kundërtën do të ndërmerreshin masa ligjore.

Projekti po afrohej afatit, por punët mbetën përgjysmë

Një ndër elementet më kritike të përmendura në dokument lidhet me faktin se projekti kishte një plan dinamik prej 320 ditësh pune, ndërsa sipas ministrisë, në kohën kur afati po afrohej drejt fundit, një pjesë e konsiderueshme e punimeve ende nuk ishte kryer.

Në dokument përmenden konkretisht punime të papërfunduara në rrjetin elektrik, rrjetin e ujësjellësit, kanalizimin fekal, vendosjen e kubëzave, shtresat e materialit ndërtimor dhe rregullimi i skarpateve.

Ministria pretendon se në vend të mobilizimit maksimal për përmbylljen e projektit, në shumë raste në terren vëreheshin vetëm ekipe të kufizuara pune dhe aktivitet minimal. Kjo, sipas tyre, rrezikonte seriozisht realizimin e investimit publik.

Takimi vendimtar: “Përfundojeni projektin ose kërkoni shkëputjen e kontratës”

Më 24 tetor 2024, sipas dokumenteve, u mbajt një takim i nivelit të lartë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve kryesorë të ministrisë, KIESA-s dhe operatorit ekonomik.

Aty, kompania ishte vendosur përballë tri opsioneve: Të sillte deklaratë të shkruar se është e gatshme ta përfundojë projektin sipas kontratës dhe të paraqiste sigurimin e ekzekutimit; Nëse nuk ishte e gatshme, të kërkonte vetë shkëputjen e kontratës; Në rast mosveprimi, ministria do të niste procedurat për shkëputje të njëanshme të kontratës.

Megjithatë, sipas ministrisë, kompania nuk i kishte respektuar as zotimet e bëra në këtë takim.

Madje, dokumentet tregojnë se edhe gjatë muajit mars 2025 ministria kishte pritur përgjigje dhe mobilizim konkret, por sipas pretendimeve të saj, nuk kishte ndodhur asnjë progres real në terren.

Në fund, më 28 mars 2025, ministria kishte marrë vendim për shkëputje të njëanshme të kontratës për projektin në Opterushë.

OSHP: Nuk mjafton neglizhenca, duhet falsifikim dokumentesh

Pavarësisht gjithë këtij dosieri me pretendime për vonesa dhe mosangazhim, OSHP nuk ia dha të drejtën ministrisë për ta futur kompaninë në listën e zezë.

Në arsyetimin e tij, ky institucion ka thënë qartë se neni 99.2 i Ligjit për Prokurimin Publik zbatohet vetëm kur provohet se operatori ekonomik ka paraqitur dokumente të falsifikuara ose të rreme, dhe jo kur ka mosmarrëveshje për realizimin e kontratës.

Në rastin konkret, sipas OSHP-së, ministria nuk kishte ofruar prova për mashtrim apo falsifikim, por vetëm pretendime për neglizhencë në kryerjen e punimeve. Për këtë arsye, kërkesa për diskualifikim u refuzua.

Madje, OSHP e ka orientuar ministrinë drejt një rruge tjetër: Gjykatës kompetente, duke theksuar se mosmarrëveshjet kontraktuale mund të zgjidhen përmes Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve (LMD).

Ndwrkohw, punimet për ndërtimin e Parkut Industrial në Opterushë të Rahovecit, që nisën në vitin 2023, janë ndalur dhe kanë mbetur në gjysmë, teksa së fundmi Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, njoftoi se ka dështuar tenderi për fazën e dytë për ndërtimin e këtij parku.

Tenderi për fazën e dytë të punimeve ishte hapur në prill të vitit 2024, kurse Ministria njoftoi për anulimin në fillim të muajit maj të vitit 2026.

Në arsyetim për anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit, ministria tha se tashmë marrëveshja mes komunës së Rahovecit dhe Ministrisë ka skaduar dhe rrjedhimisht nuk ka as zotim të mjeteve financiare. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera