E enjte, 4 Qershor, 2026

Daja i kryetarit të Fushë Kosovës në garë për kryeshef të ndërmarrjes së re komunale

Ndaj

Ndërmarrja Publike Lokale “NPL- Fushë-Kosova” Sh.A, e themeluar së fundmi nga Kuvendi Komunal i Fushë Kosovës, ka përmbyllur fazën paraprake të verifikimit të aplikimeve për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv, ndërsa në mesin e kandidatëve që kanë kaluar për intervistë me gojë figuron edhe një emër që mund të ngjallë dyshime për favorizm, shkruan Kujdestari.info.

Bëhet fjalë për Ekrem Berjanin, i cili sipas informacioneve është daja (vëllai i nënës) i kryetarit të Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebezës.

Konkursi për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të ndërmarrjes publike ishte shpallur më 29 prill 2026, ndërsa afati i aplikimit kishte zgjatur deri më 20 maj 2026. Sipas njoftimit zyrtar të ndërmarrjes, gjithsej shtatë kandidatë kanë aplikuar brenda afatit ligjor dhe të gjithë janë kualifikuar për intervistën me gojë.

Në listën e kandidatëve që do t’i nënshtrohen intervistimit figurojnë:

  1. Afrim Krasniqi
  2. Bislim Hajdari
  3. Ekrem Berjani
  4. Erblin Grajçevci
  5. Ganimete Krasniqi
  6. Ilir Hasani
  7. Bujar Budeci

Në njoftimin e NPL- FushëKosova thuhet se kandidatët do të informohen me kohë për terminin e intervistës përmes telefonit, emailit dhe faqes zyrtare të ndërmarrjes.

Megjithatë, kandidatura e Ekrem Berjanit mund të tërheqë vëmendje të shtuar publike për shkak të lidhjes familjare me kryetarin aktual të komunës. Berjani, përveç kësaj lidhjeje, ka qenë për një kohë edhe nënkryetar i Degës së LDK-së në Fushë Kosovë, pozitë nga e cila është larguar vetëm para disa muajsh.

Po ashtu, ai ka ushtruar edhe funksion drejtues në komunë gjatë periudhës kur LDK udhëhiqte me Fushë Kosovën, duke qenë drejtor i një drejtorie komunale.

Përfshirja e një familjari të afërt të kryetarit në garën për pozitën më të lartë ekzekutive të një ndërmarrjeje të sapothemeluar komunale mund të ngrejë dyshime për mënyrën e përzgjedhjes dhe nevojën për një proces sa më transparent, ndonëse deri më tani nuk ka asnjë vendim përfundimtar dhe procesi ndodhet ende në fazën e intervistimit. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera